Trump paralajmëron tarifa 100% ndaj Kanadasë nëse nënshkruan marrëveshje tregtare me Kinën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi këtë të shtunë se SHBA do të vendosë tarifa 100% mbi mallrat dhe produktet kanadeze, nëse Kanadaja nënshkruan një marrëveshje tregtare me Kinën.

Deklarata u bë në një mesazh publik, ku Trump paralajmëroi kryeministrin kanadez Mark Carney se një marrëveshje e tillë, sipas tij, do të rrezikonte seriozisht interesat ekonomike dhe strategjike të Kanadasë.

“Kina do ta hajë Kanadanë të gjallë, do ta shkatërrojë komplet, duke përfshirë bizneset, strukturën sociale dhe mënyrën e përgjithshme të jetesës së tyre. Nëse Kanadaja bën marrëveshje me Kinën, menjëherë do të përballen me një tarifë 100% mbi të gjitha mallrat dhe produktet kanadeze që hyjnë në SHBA”, shkroi Trump.

Trump sugjeroi se Kina mund të përdorte Kanadanë si kanal për të shmangur tarifat amerikane ndaj produkteve kineze.

“Nëse Guvernatori Carney mendon se do ta kthejë Kanadanë në një ‘port hyrës’ për Kinën për të dërguar mallra dhe produkte në SHBA, ai gabon rëndë”, deklaroi presidenti amerikan.

Komentet vijnë në një kohë kur kryeministri kanadez Mark Carney, gjatë një vizite në Kinë, e ka cilësuar vendin aziatik si “partner të besueshëm dhe të parashikueshëm”, ndërsa në Forumin Ekonomik Botëror në Davos ka inkurajuar liderët evropianë të kërkojnë investime nga ekonomia e dytë më e madhe e botës.

Tensionet mes SHBA-së dhe Kanadasë janë shtuar ditët e fundit. Të enjten, Trump tërhoqi ftesën për Kanadanë që të bashkohej me iniciativën e tij “Bordi i Paqes” për zgjidhjen e konflikteve globale.

Vendimi pasoi fjalimin e Carney-t në Davos, ku ai kritikoi përdorimin e integrimit ekonomik si mjet presioni dhe tarifat si armë politike.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033