Presidenti Donald Trump deklaron se SHBA do të godasë sërish uzinat bërthamore iraniane nëse programi atomik nuk ndalet.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të fundit të autoriteteve iraniane, duke kërcënuar me një tjetër valë goditjesh ushtarake ndaj uzinave bërthamore të Iranit.
Përmes një postimi në rrjetin e tij “Truth Social”, Trump citoi ministrin e Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi, i cili kishte deklaruar se sulmet amerikane kishin shkaktuar dëme të mëdha në tre objekte të rëndësishme për pasurimin bërthamor: Fordow, Natanz dhe Isfahan.
“Po, janë shkatërruar, siç e thashë më parë, dhe po, do t’i godasim sërish nëse është e nevojshme,” shkroi Trump, duke nënvizuar vendosmërinë e tij për të mos lejuar Iranin të avancojë më tej në programin bërthamor.
Ndërkohë, Araghchi konfirmoi për “Fox News” se Irani nuk ka ndërmend të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit, edhe pse pranoi se dëmet janë të rënda. “Nuk e ndalojmë këtë proces, sepse është një arritje e madhe për shkencëtarët tanë dhe tashmë përfaqëson krenari kombëtare,” deklaroi ai.
Sulmet ajrore të muajit qershor shënjestruan disa nga qendrat më kritike të pasurimit në territorin iranian, në një përshkallëzim që rriti ndjeshëm tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Nëse kjo retorikë e fortë përkthehet në veprime të reja ushtarake, rajoni i Lindjes së Mesme mund të përballet me një përshkallëzim të rrezikshëm me pasoja globale. SHBA mbetet e vendosur të ndalë çdo përpjekje për prodhim armësh bërthamore nga ana e Iranit.