Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se po bashkëpunon me guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, për të dërguar një anije spitalore në Groenlandë, territor që ka qenë në qendër të vëmendjes që prej interesit të tij për ta bërë atë shtetin e 51-të të SHBA-së.
Trump ka shprehur interes për ishullin më të madh në botë që në mandatin e tij të parë, një qëndrim që ka krijuar tensione mes Uashingtonit dhe vendeve europiane, veçanërisht Danimarkës.
Në një postim në rrjetet sociale, presidenti njoftoi: “Duke punuar me guvernatorin fantastik të Luizianës, Jeff Landry, ne do të dërgojmë një anije të madhe spitalore në Groenlandë për t’u kujdesur për shumë njerëz që janë të sëmurë dhe nuk po marrin kujdesin e duhur atje. Është rrugës!!!”
Shtëpia e Bardhë dhe zyra e guvernatorit Landry nuk kanë sqaruar nëse nisma është kërkuar nga autoritetet e Danimarkës apo të Groenlandës. Muajin e kaluar, SHBA dhe Danimarka zhvilluan bisedime për të zbutur tensionet brenda aleancës së NATO-s.
Postimi i Trump erdhi disa orë pas njoftimit të Komandës së Përbashkët Arktike të Danimarkës, e cila raportoi evakuimin mjekësor të një anëtari të ekuipazhit nga një nëndetëse amerikane që operonte rreth shtatë milje nga kryeqyteti Nuuk.