Presidenti Donald Trump ka firmosur një urdhër ekzekutiv që ndalon pjesëmarrjen e sportistëve transgjinorë në garat sportive për femra.
Urdhri, i titulluar “Mbajtja e Burrave Jashtë Sporteve për Femra”, u jep agjencive federale autoritetin për të zbatuar këtë rregull ndaj institucioneve që marrin fonde nga qeveria federale.
“Me këtë vendim, garat sportive për femra do të mbrohen siç duhet,” deklaroi Trump gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Shtëpinë e Bardhë, ku ishin të pranishëm ligjvënës dhe sportiste që kundërshtojnë përfshirjen e transgjinorëve në sportet e tyre. Mes tyre ishte edhe ish-notarja e njohur Riley Gaines.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, theksoi se ky urdhër është në përputhje me ligjet federale që ndalojnë diskriminimin me bazë gjinore në institucionet arsimore dhe sportive që financohen nga shteti. Ajo shtoi se urdhri kërkon veprime të menjëhershme për të garantuar zbatimin e tij në të gjitha shkollat dhe organizatat sportive që marrin fonde publike.
Vendimi i ri përkon me “Ditën Kombëtare të Vajzave dhe Grave në Sport” dhe është një nga aktet më të fundit ekzekutive të administratës Trump, e cila ka synuar shpesh rregullore që kufizojnë të drejtat e personave transgjinorë. Gjatë fushatës së tij për rizgjedhje, Trump e ka trajtuar këtë çështje si një nga pikat kryesore, duke argumentuar se shumica e amerikanëve nuk mbështesin përfshirjen e sportistëve transgjinorë në garat për femra.
Urdhri autorizon Departamentin e Arsimit që të penalizojë shkollat që nuk respektojnë rregullin e ri, duke kërcënuar me heqjen e fondeve federale. Zyrtarë të administratës kanë paralajmëruar se zbatimi i këtij urdhri do të jetë përparësi për institucionet përkatëse. Raportohet se tashmë ka filluar hetimi ndaj disa shkollave për rregullat e tyre mbi hapësirat dhe ambientet e përbashkëta për studentët transgjinorë.
Përveç ndikimit në arsimin dhe sportin e nivelit shkollor, presidenti Trump ka bërë të qartë se ky rregull do të ketë pasoja edhe në nivel ndërkombëtar. Ai ka paralajmëruar Komitetin Olimpik Ndërkombëtar se SHBA nuk do të pranojë përfshirjen e sportistëve transgjinorë në Lojërat Olimpike Verore 2028, që do të mbahen në Los Anxhelos. Sipas tij, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, është ngarkuar që t’i bëjë të qartë Komitetit Olimpik qëndrimin e Shteteve të Bashkuara mbi këtë çështje.
Gjithashtu, administrata Trump ka urdhëruar refuzimin e vizave për sportistët transgjinorë që kërkojnë të konkurrojnë në SHBA duke përdorur një identitet gjinor të ndryshëm nga ai me të cilin janë lindur. Drejtoresha e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, është ngarkuar të mbikëqyrë këtë proces.
Ndërkohë, organizatat që mbrojnë të drejtat e transgjinorëve kanë ngritur padi kundër këtij urdhri, duke argumentuar se ai shkel ligjet ekzistuese dhe tejkalon autoritetin e presidentit. Reagime priten edhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe organizata të tjera sportive ndërkombëtare, të cilat ende nuk kanë dalë me një qëndrim zyrtar mbi këtë vendim.