Trump mbështet sanksionet e reja kundër Rusisë: Kongresi amerikan përgatit goditjen e radhës

Presidenti Donald Trump jep dritën jeshile për projektligjin që synon vendosjen e një vale të re sanksionesh ndaj Rusisë, për shkak të qëndrimit të Putinit ndaj paqes në Ukrainë

Një iniciativë e re ligjore për vendosjen e sanksioneve të ashpra ndaj Rusisë po fiton terren në Kongresin Amerikan, pasi Presidenti Donald Trump sinjalizoi përkrahjen e tij të qartë për këtë nismë. Në një deklaratë publike, Trump u shpreh i zhgënjyer me sjelljen e Presidentit rus Vladimir Putin dhe tha se “është koha për të vepruar”.

Senatori republikan Lindsey Graham, nismëtari kryesor i projektligjit, konfirmoi se ka marrë “dritën jeshile” nga Trump për të vazhduar procedurat. Graham u shoqërua në këtë nismë nga udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune, dhe një grup senatorësh republikanë që pritet të publikojnë detaje të mëtejshme gjatë javës.

Sipas mediave amerikane, ky zhvillim i jep shtysë një projektligji që kishte mbetur pezull prej muajsh. Trump ka treguar në mënyrë të përsëritur se është i pakënaqur me refuzimin e Putinit për të hapur negociatat për paqe me Ukrainën, çka e ka shtyrë drejt mbështetjes për ndëshkime të reja ekonomike.

Pas kuintave, Graham dhe senatori demokrat Richard Blumenthal po punojnë për të përfshirë ndryshime që i japin presidentit më shumë fleksibilitet për menaxhimin e sanksioneve. Një nga propozimet është zgjerimi i përjashtimit 180-ditor për vendet që importojnë naftë dhe uranium rus, duke shtuar edhe një periudhë të dytë të ngjashme që do të kërkonte votim në Kongres.

“Presidenti është i gatshëm të ndërmarrë veprime konkrete,” deklaroi Graham për gazetarët, duke sinjalizuar se po afrohet momenti për miratimin e projektligjit. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar zyrtarisht, duke iu referuar deklaratave të mëhershme të Trump.

Burime nga Kongresi theksojnë se sanksionet nuk do të hidhen menjëherë në votim, por planet për procedimin e tyre janë në lëvizje. Thune konfirmoi se është në koordinim të ngushtë me Shtëpinë e Bardhë dhe Dhomën e Përfaqësuesve për të përcaktuar kohën e duhur.

“Do të kemi më shumë për të thënë më vonë gjatë javës,” deklaroi ai, duke theksuar se ekziston interes i lartë për të avancuar me projektligjin, që mund të sjellë pasoja të ndjeshme për Moskën në nivel ndërkombëtar.

Ndaj Postimin: