Përplasjet mes presidentit Donald Trump dhe ish-presidentit Barack Obama kanë marrë një tjetër dimension, këtë herë për shkak të deklaratave të këtij të fundit mbi ekzistencën e alienëve.
Gjatë një bisede me gazetarët në avionin presidencial “Air Force One”, Trump reagoi ndaj një deklarate të Obamës të bërë disa ditë më parë në një podcast, duke e cilësuar atë si “skandaloze”.
“Ai dha informacione të klasifikuara, nuk duhej ta kishte bërë këtë”, u shpreh Trump, pa e përmendur Obamën me emër.
I pyetur nëse kishte parë prova të “vizitorëve jo-njerëzorë në Tokë”, Trump u përgjigj: “Nuk e di nëse janë të vërtetë apo jo, por ai bëri një gabim të madh.”
Deklarata e Obamës që shkaktoi reagimin u bë gjatë një podcast-i, kur ai u pyet nëse alienët ekzistojnë. “Ata janë të vërtetë, por unë nuk i kam parë,” tha ai me humor, duke shtuar se “nuk po i fshehim në Zonën 51” dhe se nuk ka struktura nëntokësore sekrete që fshihen nga presidenti.
Kur u pyet se cila ishte një nga pyetjet e para që bëri pasi u bë president, Obama u përgjigj duke qeshur: “Ku janë alienët?”
Pas reagimeve, ish-presidenti publikoi një sqarim në Instagram, duke theksuar se komentet e tij ishin pjesë e një “raundi të shpejtë” pyetjesh dhe përgjigjesh.
“Statistikisht, universi është aq i madh sa mundësia për jetë diku tjetër është e lartë. Por distancat mes sistemeve diellore janë aq të mëdha sa shanset që alienët të na vizitojnë janë të ulëta. Nuk kam parë asnjë provë gjatë presidencës sime që alienët të na kenë kontaktuar,” shkroi Obama.