Trump kërkon përfundim të plotë të konfliktit Izrael-Iran dhe jo thjesht armëpushim

Presidenti i SHBA-së Donald Trump thekson se nuk mjafton një armëpushim, por kërkon një zgjidhje përfundimtare që të sjellë paqe të vërtetë mes Izraelit dhe Iranit, duke shtuar presionin diplomatik dhe politik për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rritur ndjeshëm presionin mbi palët në konfliktin izraelito-iranian, duke deklaruar hapur se nuk kërkon thjesht një armëpushim, por një përfundim të vërtetë të luftës mes këtyre dy shteteve. Këto deklarata i bëri në bordin e Air Force One, pas kthimit nga takimi i G7-ës që u mbajt në Kanada, duke e theksuar qartë para gazetarëve që shoqëronin delegacionin amerikan.

Burime të ndryshme mediatike raportojnë se Presidenti Trump po shqyrton mundësinë për të dërguar në Teheran përfaqësues të lartë amerikanë, si Steve Witkoff ose JD Vance, në një përpjekje të re diplomatike për të arritur kontakt me autoritetet iraniane. Gazetarja e CBS News, Jennifer Jacobs, e cila udhëtoi me Trump nga Kanadaja, nënvizoi se ky hap varet nga zhvillimet që do të ndodhin sapo presidenti të kthehet në Uashington.

Gjatë deklaratës së tij, Trump nënvizoi se çdo vendim për të dërguar një zyrtar të posaçëm të SHBA-së për Lindjen e Mesme ose madje edhe zëvendëspresidentin amerikan në Teheran, do të varet plotësisht nga dinamikat e ditëve në vijim. Ai ishte i prerë se Teherani duhet të heqë dorë njëherë e mirë nga çdo projekt bërthamor, duke shtuar se Izraeli nuk do të ndalojë veprimet e tij ushtarake ndaj Iranit, të paktën për momentin.

Trump theksoi se të gjitha zhvillimet do të bëhen të qarta brenda dy ditëve të ardhshme, duke lënë të nënkuptohet se mund të ketë lëvizje të reja të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. “Do ta mësoni shumë shpejt, askush nuk ka ngadalësuar ende”, u shpreh presidenti amerikan përballë gazetarëve.

Në terren, përplasjet mes Izraelit dhe Iranit kanë vazhduar pa ndërprerje. Sot, një sulm kibernetik goditi bankat më të mëdha iraniane, duke i paralizuar plotësisht operacionet financiare në vend. Portali Iran International, i cili ka lidhje me qarqet opozitare iraniane jashtë vendit, raportoi se objektiv i sulmit ishin bankat e lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit.

Sipas informacioneve nga mediat iraniane, një prej goditjeve më të mëdha ka qenë ndaj Sepah Bank, një nga institucionet financiare kryesore në vend, ku të gjitha të dhënat janë fshirë. Si pasojë, bankomatët e kësaj banke janë jashtë funksionit dhe klientët nuk kanë mundur të tërheqin para në dorë, duke krijuar kaos në sistemin financiar të Iranit.

Në këtë situatë të tensionuar, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë jo vetëm një armëpushim të përkohshëm, por një marrëveshje të plotë që të sigurojë stabilitet afatgjatë në rajon dhe të garantojë sigurinë për të gjithë aktorët e përfshirë.

Ndaj Postimin: