Trump kërkon 50% të të ardhurave të Ukrainës si kompensim për ndihmën ushtarake të SHBA-së

Presidenti amerikan Donald Trump ka paraqitur një kërkesë të jashtëzakonshme, duke kërkuar që Shtetet e Bashkuara të marrin 50% të të ardhurave që Ukraina gjeneron nga burimet natyrore, portet dhe infrastruktura, si kompensim për ndihmën ushtarake të dhënë ndaj Kievit.

Kjo kërkesë është pjesë e një kontrate të draftuar për “rikonstruksionin e Ukrainës”, e cila ka mbërritur në duar të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ka shkaktuar shqetësim të madh në kryeqytetin ukrainas.

Sipas një dokumenti të klasifikuar si “Privileged & Confidential”, SHBA kërkon të mbajë një pjesë të përhershme të ekonomisë ukrainase përmes një fondi të përbashkët investimesh. Ky fond ka për qëllim të parandalojë që “palët armiqësore” të përfitojnë nga rindërtimi i vendit, duke e lënë ekonominë e Ukrainës nën kontroll të Shteteve të Bashkuara.

Një burim i afërt me administratën Trump ka deklaruar se kjo kërkesë është një përpjekje për të rikuperuar qindra miliarda dollarë të taksapaguesve amerikanë që janë investuar në ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës. Marrëveshja e propozuar parashikon që SHBA të marrë 50% të të ardhurave nga shfrytëzimi i burimeve natyrore të Ukrainës, duke përfshirë minerale, naftë dhe gaz, si dhe të gjitha licencat e reja që do të lëshoheshin për palët e treta.

Përveç kësaj, Uashingtoni do të kishte të drejtën e parë për të blerë mineralet e eksportueshme të Ukrainës, duke vendosur një “peng” mbi të ardhurat nga licencat e reja. Kjo do t’i jepte SHBA-së një ndikim të madh në sektorin ekonomik të Ukrainës, duke përfshirë edhe kontrollin mbi një pjesë të konsiderueshme të burimeve të saj natyrore.

Kontrata, sipas dokumentit, parashikon që të qeveriset nga ligji i Nju Jorkut dhe t’i sigurojë SHBA-së imunitet sovran, duke e forcuar ndikimin amerikan në Ukrainë për një periudhë të pacaktuar. Trump ka deklaruar më herët se Ukraina ka pranuar t’i japë SHBA-së qasje në pasuritë e saj minerale, duke theksuar se ndihma ushtarake e ofruar nga Amerika ka qenë shumë më e madhe se ajo e vendeve të tjera.

Në një deklaratë të tij, Trump theksoi se Ukraina ka mundësinë të bëjë një marrëveshje ose të refuzojë, duke shtuar se mund të përfundojë nën ndikimin e Rusisë nëse nuk pranon kushtet e propozuara. Ai theksoi se SHBA ka investuar miliarda dollarë në Ukrainë dhe synon t’i rikuperojë ato.

Draft-marrëveshja e propozuar përfshin një klauzolë që do ta detyronte Ukrainën të paguante për rindërtimin e saj një shumicë më të madhe të PBB-së, sesa Gjermania pas Luftës së Parë Botërore. Ky detaj ka shkaktuar shqetësim në Kiev, ndërsa Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit ende nuk kanë komentuar në lidhje me këtë çështje.

Ndaj Postimin: