Trump kërcënon Hamasin me pasoja: “Nëse nuk liron pengjet, ferri do të shpërthejë”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dhënë një ultimatum të ashpër ndaj Hamasit, duke e paralajmëruar se nëse nuk lirohen të gjitha pengjet izraelite deri më 15 shkurt, ai do të anulojë marrëveshjen e armëpushimit dhe “ferri do të shpërthejë”.

Ky paralajmërim erdhi pas një deklarate të Hamasit, i cili njoftoi se po vononte lirimin e pengjeve për një kohë të pacaktuar, duke i dhënë si shkak “shkeljet” e marrëveshjes së armëpushimit.

Në përgjigje të vonesës së Hamasit, ministri i mbrojtjes i Izraelit vendosi që ushtria e vendit të jetë në gatishmëri, duke lëshuar urdhra për të përgatitur ushtrinë për çdo skenar që mund të ndodhte në Gaza. Trump e cilësoi vonesën e lirimit të pengjeve si “të tmerrshme”, duke shtuar se ai do të lejojë që Izraeli të marrë vendimin përfundimtar mbi çfarë duhet të ndodhë me armëpushimin.

“Por për sa më përket mua, nëse të gjithë pengjet nuk kthehen deri në orën 12 të së shtunës – mendoj se është koha e duhur – do të thosha anuloje dhe të gjitha bastet do të hiqen dhe le të shpërthejë ferri”, tha Presidenti Trump, duke e theksuar qartë ultimatumin e tij.

Ky ultimatum mund të rrezikojë dështimin e një armëpushimi trejavor, i cili është ndërmarrë për të mundësuar një plan të rreptë për lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë që mbahen në burgjet izraelite. Trump ka shprehur se dëshira e tij është që të gjitha pengjet të kthehen në shtëpi, dhe ai ka theksuar se kjo është një çështje e tij personale.

“Ne duam që ata të kthehen të gjithë. Unë po flas për veten time”, ka thënë ai. “Izraeli mund ta kapërcejë atë, por për mua, të shtunën në orën 12 – dhe nëse nuk janë këtu, ferri do të shpërthejë,” ka shtuar Presidenti amerikan.

Deklaratat e Trump kanë shkaktuar shqetësime të mëdha, pasi ai ka kërcënuar se do të shkelë marrëveshjen e armëpushimit nëse kërkesat e tij nuk përmbushen. Tensionet kanë shpërthyer sërish në Gaza, duke rrezikuar një eskalim të dhunës dhe ndikim në rajon dhe më gjerë.

Ndaj Postimin: