Presidenti Donald Trump është i hapur për të zhvilluar takime me Vladimir Putinin dhe Volodymyr Zelenskyn, në përpjekje për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, njofton Shtëpia e Bardhë.
Sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt, theksoi se Trump është i kënaqur me “progresin e madh” nga takimi i të dërguarit amerikan Steve Witkoff me Putinin në Moskë. Ajo bëri me dije se pala ruse ka shprehur dëshirën për të takuar Trumpin.
“Presidenti Trump dëshiron që kjo luftë e ashpër të përfundojë sa më shpejt,” tha Leavitt, duke nënvizuar gatishmërinë e Trump për t’u takuar me të dy liderët, Putinin dhe Zelenskyn.
Raportime të fundit nga New York Times zbulojnë se Trump synon një takim personal me Putinin javën e ardhshme. Më pas, pritet të zhvillohet edhe një takim i përbashkët mes Trump, Putin dhe Zelenskyt.
Kjo nismë vjen në një kohë kur tensionet ndërkombëtare mbeten të larta, dhe çdo hap për dialog shihet si një mundësi për të ndalur përplasjet në Ukrainë.
Shtëpia e Bardhë është në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për rolin e saj në përpjekjet diplomatike, dhe Trump duket se po synon të marrë një rol aktiv në këto zhvillime.


