Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Europa duhet të përqendrohet te lufta në Ukrainë dhe jo te çështja e Groenlandës, duke paralajmëruar sërish masa tarifore ndaj vendeve që, sipas tij, kundërshtojnë planin amerikan.
Në një intervistë të shkurtër telefonike për NBC News, Trump theksoi se do t’i zbatojë “100 për qind” tarifat ndaj vendeve evropiane nëse nuk arrihet një marrëveshje për Groenlandën. Ai përsëriti se Europa duhet të ketë prioritet konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Evropa duhet të përqendrohet te lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, sepse, sinqerisht, shihni se çfarë u ka sjellë kjo atyre. Kjo është ajo ku duhet të fokusohet Evropa, jo Groenlanda”, u shpreh Trump.
I pyetur nëse do të përdorte forcën për të marrë kontrollin e Groenlandës, presidenti amerikan u përgjigj me “pa koment”, duke shmangur një përgjigje të drejtpërdrejtë mbi këtë mundësi.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment tensionesh të shtuara diplomatike, teksa qëndrimi i tij për Groenlandën dhe paralajmërimet për tarifa kanë shkaktuar reagime të forta në Evropë.