Personi që shihni në video është autori i ngjarjes së ndodhur pak pas mesnatës së 19 shtatorit, ku në banesën e deputetit të Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, shpërtheu një sasi tritoli.
Kamerat e sigurisë së banesës së Mziut kanë fiksuar autorin në momentin kur ai largohet, pasi ka vendosur “pakon” me eksploziv në murin rrethues të banesës.
Siç shihet në pamje, autori, i maskuar me kapuç, largohet nga vendi i ngjarjes me biçikletë. Dyshohet se është i njëjti person që vendosi tritolin disa ditë më parë në restorantin “Perla e Detit”.
Sipas burimeve, ka dyshime të forta se këto ngjarje janë kryer nga e njëjta dorë, madje edhe për ngjarje të tjera të regjistruara më herët në Tiranë. Kamerat e sigurisë në të gjitha rastet dokumentojnë të njëjtat lëvizje: autori maskohet si punëtor ose me rroba të errëta dhe largohet me biçikletë.
Policia dyshon fort se personi që vendosi tritolin tek banesa e Mziut është i njëjti që vendosi tritolin në restorantin në Kamëz.
Për ngjarjen e fundit janë arrestuar Jeton Lami, Florin Domi dhe Flogert Mzhika, ndërsa dy persona të tjerë janë në kërkim.
Sipas të dhënave, disa ditë para ngjarjes, Florin Domi—i cili ka biznes pranë lokalit—ka thirrur pronarin Saimir Sina duke i thënë se po e kërkonte Jeton Lami. Sina ka shkuar ta takojë, dhe Lami i ka kërkuar llogari pse po e kundërshtonte. Sina i ka thënë se nuk e njihte fare. Në atë moment, Lami i ka thënë: “Meqë nuk na njeh, do të na japësh 500 mijë euro, ose do e shikosh çfarë do ndodhë”.
Sina ka refuzuar duke deklaruar se nuk do të jepte asnjë shumë parash. Pas kësaj është larguar drejt Italisë, ku edhe jeton.
Ndërkohë, Flogert Mzhika ka shkuar dhe ka takuar dy kunetërit që kishin marrë me qira biznesin, duke u thënë se “nuk do ta gëzonin dot”.


