Tregu Rom i Gjirokastrës, mes krizës ekonomike dhe mungesës së kushteve

Tregu rom i Gjirokastrës po përballet me një krizë të thellë ekonomike, ndërsa fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm, duke e vështirësuar më tej mbijetesën e tregtarëve.

Për shumë prej tyre, ky është i vetmi burim të ardhurash, por fitimet e ulëta mezi mbulojnë nevojat minimale të përditshme.

“Të ardhurat tona ditore janë vetëm 300-400 lekë. Dikur njerëzit vinin për të blerë gjëra të lira, por tani as ata nuk kanë mundësi të shpenzojnë,” thonë tregtarët, të cilët përballen me një realitet të zymtë ekonomik.

Tregu funksionon në një zallishte të hapur në lagjen periferike të Gërhotit, ku mungojnë kushtet elementare për një aktivitet normal tregtar. Në rastet e reshjeve të dendura, hapësira përmbytet, duke e bërë të pamundur tregtimin, ndërsa mungesa e infrastrukturës bazë, përfshirë tualetet publike, e përkeqëson edhe më tej situatën.

Autoritetet lokale kanë premtuar përmirësime. Bashkia e Gjirokastrës po harton një plan për krijimin e një tregu të dedikuar për këtë komunitet, por ende nuk dihet se kur ky projekt do të vihet në zbatim.

Gjendja e tregut pasqyron realitetin e vështirë me të cilin përballet komuniteti rom në Shqipëri, ku rreth 70% e popullsisë mbështetet në këtë lloj tregtie për mbijetesë.

Për shumë prej tyre, ky treg nuk është thjesht një vend pune, por një luftë e përditshme për të siguruar bukën e gojës. Ndërsa situata mbetet kritike, tregtarët vazhdojnë të shpresojnë për një zgjidhje që do t’i ndihmojë të zhvillojnë aktivitetin e tyre në kushte më dinjitoze.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera