Ministria e Jashtme e Kinës ka kërkuar të premten nga Shtetet e Bashkuara që të tërhiqen nga përshkallëzimi i tensioneve tregtare, duke theksuar se “tregu ka folur”. Këto komente erdhën pas një rënieje të mprehtë të çmimeve të aksioneve globale, e cila ka pasuar një tjetër goditje të rëndë për tregjet financiare. Pekini vendosi masa hakmarrëse ndaj SHBA-ve, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, mbrojti strategjinë e tij ekonomike, duke hedhur poshtë reagimet e Pekinit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, bëri një deklaratë në rrjetet sociale pas rënies së tregjeve, ku tri indekset kryesore të SHBA-së ranë mbi 5%. Ai e cilësoi luftën tregtare të SHBA-së ndaj botës si të paprovokuar dhe të pajustifikuar, duke i kërkuar Uashingtonit të ndalë përshkallëzimin e tensioneve dhe të zgjidhë mosmarrëveshjet tregtare përmes “konsultimit të barabartë”.
Kina ka reaguar me një tarifë të re 34% për të gjitha importet amerikane, të cilat do të hyjnë në fuqi nga 10 prilli. Kjo lëvizje është një përshkallëzim i mëtejshëm i konfliktit tregtar dhe ka ngjallur shqetësime të mëdha për rritjen e inflacionit, mundësinë e recesionit dhe ndikimet e mundshme në zhvillimin ekonomik global. Pas kësaj, Guo deklaroi se “tregu ka folur”, duke iu drejtuar Shteteve të Bashkuara për të rishikuar strategjitë e tyre ekonomike.
Në përgjigje, Trump mbrojti tarifat e vendosura dhe e cilësoi këtë politikë si një revolucion ekonomik që do të sjellë fitoren për SHBA-të. Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha: “Kina është goditur shumë më rëndë se SHBA-të, madje as afër. Ne po rikthejmë vendet e punës dhe bizneset si kurrë më parë… Ky është një revolucion ekonomik dhe ne do të fitojmë.”
Ndërkohë, investitorët janë në pritje të paqëndrueshmërisë të mëtejshme në tregje, pasi ndikimi i tarifave gjithëpërfshirëse dhe mungesa e një lehtësimi diplomatik afatshkurtër po e bëjnë më të pasigurtë të ardhmen ekonomike globale. Tensionet e rritura tregtare midis dy ekonomive më të mëdha të botës mund të kenë pasoja të rëndësishme për zhvillimet financiare dhe stabilitetin ekonomik global në periudhën që vjen.