Sigal ruan kryesimin në sigurimet e jo-jetës, por humbet terren ndaj konkurrentëve, ndërsa kompanitë me kapital shqiptar arrijnë të zotërojnë mbi tre të katërtat e tregut.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, Sigal ka mbajtur 25.95% të primeve të shkruara bruto në sigurimet e jo-jetës. Megjithatë, kjo shifër është më e ulët krahasuar me 27.77% të një viti më parë. Në qershor, kompania përfundoi largimin nga UNIQA Group Austria, pas shitjes së kuotave tek një kompani shqiptare në pronësi të Avni Ponarit.
Albsig, pjesë e grupit Kastrati, renditet e dyta me 19.45% të tregut, duke shënuar një rritje të lehtë nga 19.15% vitin e kaluar. Në vendin e tretë qëndron Eurosig, me 13.81% nga 13.42% që mbante një vit më parë, ndërsa Sigma Vienna Insurance Group ka 12.67%, me një rënie të lehtë nga 12.72%.
Intersig Vienna Insurance Group ka përmirësuar pjesën e saj të tregut në 8.9% nga 8.83%. Insig ka shënuar rritje më të theksuar, duke kaluar nga 6.53% në 7.24%, ndërsa Ansig dhe Atlantik kanë arritur përkatësisht 6.09% dhe 5.89%.
Me largimin e UNIQA Group Austria, tregu është përqendruar dukshëm tek kapitali vendas. Në gjashtëmujorin e parë të 2025, kompanitë shqiptare zotërojnë 78.4% të tregut, një rritje e ndjeshme nga 50.7% një vit më parë.
Ekspertët theksojnë se tregu i sigurimeve në Shqipëri mbetet i kufizuar, pasi mbështetet kryesisht në produktet e detyrueshme motorike. Struktura aktuale e shitjes së këtyre produkteve, përfshirë sigurimin e brendshëm motorik TPL, kufizon konkurrencën reale dhe ruan çmime të ngjashme mes operatorëve.
Në total, primet e shkruara bruto për periudhën janar-qershor 2025 arritën në 12.8 miliardë lekë, rreth 130 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 8% krahasuar me vitin e kaluar. Sigurimet e jo-jetës përbëjnë 91% të këtij volumi, me 11.7 miliardë lekë dhe një rritje vjetore prej 7.6%.
Kjo tendencë tregon se, ndonëse tregu po rritet në vlerë, ai mbetet i përqendruar tek produktet e detyrueshme dhe i mbyllur ndaj konkurrencës së gjerë, duke frenuar hyrjen e investitorëve të rinj ndërkombëtarë.