“Ku ta marr faturën për rigonin që e mbledh vetë në mal? Mali s’më jep letër!” – kështu rrëfen tregtarja sarandiote Bardha Nesturaj pas një përplasjeje me inspektorin tatimor.
Në hyrje të tregut të fruta-perimeve në Sarandë, që prej 35 vitesh, gjendet një emër që tashmë është bërë simbol i qytetit. Bardha Nesturaj, një grua e njohur për buzëqeshjen dhe ndershmërinë, vijon me përkushtim rrugën e nisur nga familja e saj në vitin 1990.
Pak ditë më parë, ajo u bë pjesë e debateve publike dhe rrjeteve sociale pas një përplasjeje të hapur me një inspektor tatimor. Ky i fundit i kërkoi faturë për rigonin që ajo vetë e mbledh në male. Me ironi dhe qartësi, Bardha pyet: “Ku ta marr faturën, nga mali?”
Edhe pse ka mbaruar universitetin, Bardha nuk e braktisi tregun. Ajo punon çdo ditë, mban familjen, kujdeset për bashkëshortin dhe për vëllanë që ka pësuar një operacion në zemër. Ndërkohë, përpiqet të sigurojë të ardhura për të mbështetur djalin që studion në Fakultetin e Drejtësisë.
Për Bardhën, çdo ditë në treg është betejë për të mbuluar qiranë, ushqimin, librat e djalit dhe detyrimet shëndetësore. Ajo e quan veten korrekte me shtetin, por nuk e kupton ende në cilën kategori e kanë klasifikuar: tregtar ambulant, biznes i vogël apo i mesëm.
Kërkesat e reja për kasë fiskale dhe fatura e kanë vënë në pikëpyetje mënyrën e punës së saj. “Unë nuk jam supermarket. Nëse ndalem për të nxjerrë kuponin, më ikën klienti,” – shprehet ajo, duke shtuar se nëse shteti kërkon kasë, ajo është gati ta vendosë, por duhet parë realiteti.
Ajo dhe bashkëshorti mbledhin çdo produkt në natyrë: rigonin, çajin dhe bimët e tjera shëndetësore. Janë bio, pa kimikate dhe me shumë përkushtim. “Mali nuk më jep faturë. Atij s’i kërkon njeri letër,” – përfundon Bardha me një zë që përzien revoltën me të vërtetën e jetës së përditshme.