Prej ditës së djeshme, Bashkia Lushnje ka hyrë në një faqe të re të historisë së saj administrative. Për herë të parë, drejtimi i tre funksioneve më të larta në këtë institucion lokal është marrë nga gra – një rast i rrallë në të gjithë territorin e bashkive shqiptare.
Kryetarja aktuale e Bashkisë Lushnje, znj. Eriselda Sefa, është zgjedhur me votën e drejtpërdrejtë të qytetarëve. Ajo tashmë do të ketë në bashkëpunim dy nënkryetare të reja, znj. Elida Mezini dhe znj. Maldrita Bardho, të cilat janë emëruar politikisht për të ushtruar funksionet ekzekutive në bashki.
Ky konfigurim është përshëndetur nga shumë qytetarë të Lushnjes, të cilët e shohin këtë si një shembull të forcës dhe përfaqësimit të grave në administratën publike, një kthesë pozitive për një bashki që prej vitesh ka kërkuar një imazh të ri dhe menaxhim më të mirë të punëve publike.
Për herë të parë pas 35 vitesh, tre gra mbajnë funksionet më të larta drejtuese në Bashkinë Lushnje. Kjo përbën jo vetëm një hap përpara për barazinë gjinore në vendimmarrje, por edhe një provë të rëndësishme për të parë se si performanca e tyre do të ndikojë në ndryshimet e pritshme për qytetarët deri në zgjedhjet e vitit 2027.
Megjithatë, në opinionin qytetar ekziston ende skepticizëm lidhur me praktikën e emërimeve politike, ku shpesh mungon transparenca dhe vlerësimi mbi bazë performance si ne drejtimin e rajonve,qendrat administrative apo drejtor te shkarkuar e te pashkarkuar ku qytetaret presin ndryshimin.
Jo vetem drejtorë qe varen nga isitucioni bashkise por drejtorë qe varen edhe nga ministri qe vazhdojnë të jenë fuksionarë e pa performancë .Qytetarët kërkojnë që ky ndryshim të mos jetë vetëm një rotacion emrash, por të sjellë vërtet ndryshim, sidomos në drejtori dhe njësi vendore ku prej kohësh ka stagnim dhe mungesë efikasiteti.
Lushnja pret jo vetëm simbole e emërime, por veprim konkret, punë dhe rezultate. Tani është radha e këtyre tre grave të dëshmojnë se drejtimi i një bashkie mund të bëhet me përkushtim, transparencë dhe mbi të gjitha – në shërbim të qytetarëve.
Nga: Ndriçim Gjoshi


