Pas një mbrojtjeje maratonë prej gati 11 orësh, tre të akuzuarit për vrasjen e 41-vjeçarit Altin Arapaj në Rafina u lajnë në paraburgim. Mikel Selimaj, 46 vjeç, akuzohet për “Vrasje me dashje”, ndërsa dy të tjerët për “Bashkëpunim në vrasje”.
Ngjarja tronditëse në Rafina mori një kthesë të fortë kur viktima, i qëlluar në faqe nga 46-vjeçari Mikel Selimaj, telefonoi partneren e tij duke kërkuar ndihmë urgjente. “Më ndihmo, Keli më qëlloi… në kokë. Po vdes. Më gjej sepse nuk e di ku jam,” ishin fjalët e fundit të Altin Arapajt.
Në dëshminë e tij para gjykatës, Selimaj mohon përgjegjësinë e plotë për ngjarjen. Ai deklaron se ashtu si viktima, edhe ai ishte nën efektin e drogës gjatë incidentit. “Unë nuk kam kryer veprimet për të cilat më akuzojnë. Dy ditë më parë, ne përdornim kokainë bashkë. Viktima nuk donte të kthehej në shtëpi, por unë e nxita të kthehej tek familja,” tha Selimaj.
Ai mohon gjithashtu lidhjet me larje hesapesh apo trafik droge që mund të shpjegonin ngjarjen. Sipas tij, arma që shkaktoi plagosjen ishte në pronësi të viktimës dhe u qëllua gjatë një përplasjeje ku Selimaj u përpoq ta çarmatoste. “Ndërsa përpiqesha të mbrohesha dhe ta çarmatosja, arma u shkrep dhe plumbi e goditi në faqe,” shtoi ai.
Selimaj po ashtu theksoi se kishte një miqësi prej 20 vitesh me viktimën dhe kishte ndihmuar atë në çështje personale, përfshirë një konflikt me dy shitës makinash që nuk po ia dorëzonin mjetet. “Kam ndihmuar viktimën të mos bëhej pre e shantazheve për paratë,” tha i pandehuri.
Ai pretendon se viktima arriti të ecte rreth 130 metra larg vendit të ngjarjes para se të binte dhe tani pret raportin mjeko-ligjor për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Gjykata ka vendosur që tre të pandehurit të qëndrojnë në paraburgim për hetimet e mëtejshme.