Tre të arrestuar dhe një në kërkim në Gjirokastër, akuzohen për dhënie parash me fajde dhe pastrim parash

Në Gjirokastër është finalizuar operacioni i koduar Trace the flow, i cili u zhvillua pas një hetimi disa mujor me metoda proaktive dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës. Si rezultat, tre persona u arrestuan dhe një tjetër u shpall në kërkim, pasi dyshohet se jepnin para me fajde të siguruara nga burime kriminale.

Të përfshirë në këtë aktivitet janë dy vëllezër dhe dy djemtë e tyre, të gjithë banues në fshatin Kordhocë të Lazaratit. Në pranga ranë R K pesëdhjetë e gjashtë vjeç, L K pesëdhjetë e nëntë vjeç dhe P K njëzet e tetë vjeç. Ndërsa B K njëzet e shtatë vjeç është shpallur në kërkim.

Sipas hetimeve, paratë jepeshin me interes të lartë përmes dy subjekteve Exchange që ishin në pronësi të njërit prej të arrestuarve, një në Gjirokastër dhe një tjetër në Tiranë. Shumat e huazuara dyshohet të jenë gjeneruar nga veprimtari kriminale dhe më pas pastroheshin nëpërmjet kësaj skeme.

Gjatë kontrolleve në dy bizneset Exchange dhe në banesat e tyre, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme parash dhe sendesh me vlerë, përfshirë:

• njëzet e gjashtë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e dyqind lekë
• njëqind e tridhjetë e dy mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë euro
• dyzet e dy mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e gjashtë dollarë amerikanë
• tetë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë paund
• dhjetë mijë e treqind e tetëdhjetë franga zvicerane
• tre mijë e njëqind e dyzet e pesë dollarë kanadezë
• tetëdhjetë e pesë mijë e shtatëqind e njëzet lira turke
• tetëmbëdhjetë blloqe me shënime
• gjashtë kompjuterë
• gjashtë celularë
si dhe sende të tjera që do të shërbejnë në vijim të hetimeve.

Prokuroria ka ngritur ndaj tyre akuzat për skema mashtruese dhe piramidale, pastrim të produkteve të veprës penale dhe fshehje të të ardhurave.

Policia po punon për kapjen e personit të shpallur në kërkim ndërsa hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.

Ndaj Postimin: