Trajneri i Ukrainës kundër skenarit të dy ndeshjeve në Poloni: “Nuk është normale!”

Pas shortit të play-off-it të Botërorit 2026, që vendosi Shqipërinë, Poloninë, Ukrainën dhe Suedinë në të njëjtin mini-grup, janë shtuar debatet për zhvillimin e ndeshjeve në terren neutral.

Sipas shortit, Polonia do të presë Shqipërinë në gjysmëfinale, ndërsa Ukraina do të përballet me Suedinë. Fituesit e këtyre dy përballjeve do të luajnë finalen për një vend në Kampionatin Botëror 2026, me pritësin që do të përcaktohet nga ky çift i dytë.

Por situata është e veçantë: që prej nisjes së luftës, Ukraina i zhvillon ndeshjet e saj si pritëse në Poloni, çka ka ngritur hipotezën që, në rast kualifikimi të Shqipërisë ndaj Polonisë, kuqezinjtë të luajnë dy ndeshje radhazi në Poloni – diçka që tashmë duket e pamundur.

Trajneri i Ukrainës, Serhi Rebrov, reagoi duke përjashtuar kategorikisht mundësinë që ekipi i tij të luajë si “pritës” në të njëjtin vend me kundërshtarin potencial.

“Nëse kalojmë gjysmëfinalet, padyshim që nuk do të luajmë si pritës kundër Polonisë në Poloni. Nuk është normale. Do të zgjedhim një vend tjetër. Duhet të luajmë të dy ndeshjet tona ‘në shtëpi’ dhe të shmangim udhëtimet e panevojshme. Logjistika është e ndërlikuar, ndaj stadiumi dhe shteti duhet të jenë të njëjtë për të dyja sfidat,” – tha Rebrov për mediat ukrainase.

Aktualisht, opsionet e mundshme për zhvillimin e ndeshjeve të Ukrainës janë Sllovakia, Gjermania dhe Spanja, ndërsa UEFA pritet të konfirmojë zyrtarisht stadiumin pritës në ditët në vijim.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033