Tragjeditë në rrugët e Kukësit, banorët protestojnë për sigurinë

Dhjetëra qytetarë të Kukësit kanë protestuar paraditen e kësaj të shtune, duke kërkuar reagim urgjent nga autoritetet pas aksidenteve të përsëritura në rrugët e qytetit. Protesta erdhi pas një aksidenti tragjik, ku një 51-vjeçar humbi jetën, pasi u përplas nga një automjet në aksin hyrës që lidh Kukësin me segmentin Kukës-Morinë të Rrugës së Kombit.

Ngjarja fatale ka ndodhur mëngjesin e së premtes, kur viktima po udhëtonte me një çiklomotor. Ai u godit fuqishëm nga një makinë që drejtohej nga një 20-vjeçar, i cili është arrestuar më pas nga policia. Kjo ngjarje ngriti shqetësimin e madh të komunitetit lokal, i cili kërkon ndërhyrje të menjëhershme për rritjen e sigurisë rrugore.

Në shenjë proteste dhe sensibilizimi, banorët kanë bllokuar për disa minuta aksin kryesor, duke shkaktuar radhë automjetesh në të dyja drejtimet. Ata shprehën shqetësimin se zona ku ndodhi aksidenti është shumë e rrezikshme, për shkak të fluksit të lartë të automjeteve dhe bizneseve, ku shoferët shpesh kalojnë kufijtë e shpejtësisë së lejuar.

Loading poll ...

Digital Marketing Ndërto websitin tënd
Apollon Facebook
Apollon Live Stream

Protestuesit kërkuan vendosjen e masave konkrete, si sinjalistika shtesë rrugore, kamera sigurie dhe patrullime të vazhdueshme policore në zonat më problematike. Sipas tyre, mosveprimi i institucioneve shtetërore po lejon që situata të përkeqësohet çdo ditë e më shumë.

Në prononcimet e tyre, qytetarët paralajmëruan se nëse nuk ndërmerren hapa konkretë nga shteti për të rritur sigurinë rrugore, protestat do të vazhdojnë dhe madje do të intensifikohen. Ata theksuan se jeta e njerëzve duhet të jetë prioritet absolut, ndërsa apeluan që të mos pritet aksidenti i radhës për të ndërhyrë.

Ky aksident tragjik nuk është i izoluar. Së fundmi, rrugët e Kukësit kanë regjistruar disa aksidente fatale, çka e bën akoma më urgjente ndërhyrjen nga autoritetet për të garantuar sigurinë e lëvizjes në këtë zonë strategjike dhe shumë të frekuentuar.

Policia dhe pushteti lokal ende nuk kanë dalë me një reagim zyrtar për masat konkrete që do të ndërmarrin pas protestës së sotme, ndërsa banorët janë të vendosur që kjo çështje të mos mbetet thjesht një premtim tjetër i harruar nga institucionet përgjegjëse.

Ndaj Postimin: