Tragjedia në Shkodër, vdes Anila Ndoka, e qëlluar nga bashkëjetuesi

Anila Ndoka, e cila u qëllua me plumb në kokë nga bashkëjetuesi i saj, Kol Manaj, ka ndërruar jetë pas gjashtë ditësh të kaluara në spital. Lajmin e ka konfirmuar për BalkanWeb gazetari Igli Çelmeta.

Ngjarja tragjike ndodhi paraditen e së martës në qytetin e Shkodrës, ku Anila, nënë e tre fëmijëve, u plagos rëndë pas një konflikti me partnerin e saj. Kol Manaj, i cili ishte 10 vjet më i ri se ajo, ka qëlluar gruan me plumb në kokë, duke i dhënë fund jetës edhe vetë pas aktit të rëndë. Sipas hetimeve të policisë, ky krim dyshohet të ketë ndodhur për shkak të xhelozisë, pasi deri tani nuk janë gjetur indicie për konflikte të tjera të ndodhura ndërmjet çiftit.

Tragjedia ndodhi rreth orës 11:15 të mëngjesit në lagjen “Mark Lula” të Shkodrës, në një zonë të njohur si ish-fusha e druve. Çifti ishte gjetur brenda një makine Volkswagen Touran, e cila ishte në pronësi të Anilës. Policia ka gjetur brenda mjetit pistoletën me të cilën Kol Manaj qëlloi partneren e tij dhe më pas kreu vetëvrasje. 34-vjeçari humbi jetën në vend.

Anila Ndoka kishte tre fëmijë nga martesa e saj e parë. Njëri prej fëmijëve jetonte me të, ndërsa dy të tjerët jetonin me ish-bashkëshortin e saj. Prej katër vitesh, ajo kishte bashkëjetuar me Kol Manajn, i cili ishte i papunë, por nuk kishte pasur sjellje problematike deri në këtë ngjarje tragjike.

Dyshohet se tentativat e Anilës për të ndërprerë bashkëjetesën me autorin mund të kenë qenë shkaku i revoltës së tij, duke çuar në këtë akt të pamenduar. Hetimet për këtë ngjarje po vazhdojnë, ndërsa familjarët e Anilës dhe shoqëria janë të tronditur nga ky krim i rëndë.

Ndaj Postimin: