Tragjedia në Peruxhia: 23-vjeçari shqiptar vritet me thikë, policia dyshon për konflikt mes të rinjsh

Një 23-vjeçar shqiptar, Hekuran Cumani, u gjet i pajetë në parkingun e Departamentit të Matematikës në Universitetin e Peruxhias, pas një përleshjeje të dhunshme mes dy grupeve të rinjsh.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit, rreth orës 4:00, kur autoritetet italiane morën njoftimin për një incident në kampusin universitar. Kur mbërritën forcat e policisë dhe ekipi i emergjencës, për të riun nuk mund të bëhej më asgjë. Ai kishte marrë një plagë të thellë me thikë pranë zemrës, e cila rezultoi fatale.

Sipas dëshmive paraprake, konflikti nisi pas një grindjeje të çastit mes dy grupeve të rinjsh, të cilët po kalonin mbrëmjen në afërsi të një lokali të njohur, “100Dieci”. Sherri, që në fillim dukej banal, u përshkallëzua shpejt në dhunë, duke përfunduar me vrasjen tragjike të Cumanit.

Policia italiane po heton rrethanat e ngjarjes dhe ka marrë dëshmi nga personat që ishin në zonë në momentin e krimit. Disa dëshmitarë kanë pohuar se autorët u larguan me shpejtësi menjëherë pas sulmit, duke e lënë 23-vjeçarin të gjakosur në tokë.

Hetimet kanë zbuluar njolla gjaku përpara hyrjes së Departamentit të Matematikës dhe në zona të ndryshme të parkingut. Rreth vendngjarjes janë gjetur shishe dhe gota plastike, të cilat sugjerojnë se të rinjtë kishin konsumuar pije para përplasjes.

Një detaj që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është një shishe plastike me njolla gjaku, e cila sipas policisë mund të tregojë se dikush është përpjekur të lajë gjurmët pas sulmit. Ky element pritet të ndihmojë në zbardhjen e skemës së ngjarjes.

Sipas informacioneve të para, Hekuran Cumani kishte ardhur në Peruxhia me disa miq për të kaluar fundjavën, pa e ditur se mbrëmja do të kthehej në tragjedi. Policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorëve, ndërsa qyteti universitar është tronditur nga kjo vrasje që ka ngjallur zemërim dhe dhimbje në komunitetin shqiptar dhe atë italian.

Ndaj Postimin: