Tragjedia në Koçan: Shefi i Sigurisë shpërthen në lot dhe akuza të rënda kundër Pronarit të Klubit

Dëshmia e Blagojço Georgiev, shefi të sigurisë në klubin e natës në Koçan, ka hedhur dritë të re mbi tragjedinë që ndodhi në orët e para të së dielës, ku humbën jetën 59 persona dhe të paktën 155 të tjerë u plagosën rëndë. Georgiev, i cili ka qenë përgjegjës për sigurinë e këtij lokali për dy vjet rresht, ka rrëfyer se ka paralajmëruar disa herë për kushtet e rrezikshme dhe për lakminë e pronarit të klubit, i cili, sipas tij, nuk ka treguar asnjë interes për sigurinë e klientëve.

Në një deklaratë të dhënë mes lotësh, Georgiev ka zbuluar se klubi ishte veshur me materiale të lirë, duke përmendur si shembull izolimin me sfungjer, një material që, sipas tij, ishte përdorur për të kursyer para. Ai shprehu keqardhje të thellë për tragjedinë dhe për ato që ai i quajti “parregullsi të rënda” që kishin ndodhur gjatë kohës që ai ka punuar atje.

“Pronarët janë të pangopur, ata i duan vetëm paratë. Kam qenë aty kur po instalonin materialet e izoluara, dhe tani po më akuzojnë për këtë? Po flas për një sistem që ka dështuar,” tha Georgiev. Ai e paralajmëroi pronarin për hyrjen e fëmijëve nën moshën 15 vjeçare në klub, por siç tha ai, pronari e përjashtoi shqetësimin e tij, duke kërkuar që fëmijët të lihen të hyjnë për të siguruar fitime.

Shefi i sigurisë ka theksuar se ai nuk mund të merrte asnjë masë pa urdhërin e pronarit. Ai ka telefonuar pronarin për të njoftuar se fëmijët po hynin në klub dhe ai është urdhëruar që t’i lejojë ata të hyjnë, për shkak të nevojës për të bërë para. Kjo ka çuar në një situatë ku klubi ka vepruar në mënyrë të paligjshme dhe të rrezikshme, duke vënë jetën e shumë individëve në rrezik.

Përveç kësaj, ai ngriti pyetje të forta lidhur me lejet dhe inspektimet që ishin kryer për sigurinë e klubit. “Kush dha leje për ta kthyer atë barakë në një disko? Kush e ka bërë inspektimin?” pyeti Georgiev, duke theksuar se ky nuk ishte një rast i izoluar, por një dështim i sistemit.

Ngjarja tragjike ka pasur pasojë dramatike. Zjarri që shpërtheu në klubin e natës ka marrë jetën e 59 personave, ndërsa të paktën 155 të tjerë janë plagosur rëndë. Klubi i natës kishte një licencë të falsifikuar dhe pas hetimeve u zbuluan një sërë shkeljesh të sigurisë, që e bënë të qartë se kjo ngjarje tragjike ishte parashikuar, por ishte lënë të ndodhte për arsye financiare.

Pronari i klubit, i cili tentoi të largohej nga vendi pas shpërthimit të tragjedisë, u arrestua bashkë me 19 persona të tjerë, përfshirë ish-zyrtarë të qeverisë, që dyshohen se kanë ndihmuar në mbulimin e dështimeve dhe shkeljeve të sigurisë. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht përgjegjësitë e individëve të përfshirë në këtë ngjarje tragjike.

Ndaj Postimin: