Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, ku tre fëmijë humbën jetën si pasojë e shembjes së një shtëpie të pabanuar.
Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Policisë së Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:50 më 1 shkurt 2025.
Policia u njoftua për shembjen e pllakes së shtëpisë dhe menjëherë dërgoi njësitë e nevojshme në vendngjarje, përfshirë ekipet e emergjencës, ambulancën dhe zjarrfikësit. Pas mbërritjes në vend, personeli mjekësor konstatoi se tre fëmijët kishin ndërruar jetë. Viktimat, të moshës 15 dhe 16 vjeç, ishin nën rrënoja kur shembja e shtëpisë i zuri.
Prokurori i shtetit është njoftuar për këtë ngjarje tragjike dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti fatal. Sipas informacioneve, fëmijët e ndjerë ishin nga familjet Ramaj, Mehmetaj dhe Morina. Ata po qëndronin në afërsi të shtëpisë të pabanuar kur ndodhi incidenti.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka shprehur trishtimin e tij të thellë për humbjen e jetës së tre fëmijëve. Në një postim në Facebook, Gjini ofroi ngushëllimet më të sinqerta për familjet që kanë humbur fëmijët e tyre dhe shprehu solidaritetin në këtë moment të rëndë. “Nuk ka fjalë që e shprehin dhimbjen. Le të bëjmë krejt çka mundemi për t’u qëndruar pranë familjeve në këto çaste të rënda,” shkroi ai.
Ky incident ka tronditur jo vetëm familjet e viktimave, por edhe të gjithë komunitetin e Gjakovës. Të gjithë janë të shokuar nga humbja e këtyre jetëve të rinj dhe po shprehin mbështetje dhe solidaritet për familjet në këtë periudhë të dhimbshme.