Një vajzë 14 vjeçare me origjinë nga Vlora humbi jetën tragjikisht në Itali, pasi u hodh nga kati i tretë i shtëpisë ku jetonte me prindërit e saj.
Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Massafras, në provincën e Tarantos, ku adoleshentja banonte me dy prindërit e saj. Mediat italiane raportojnë se, pas rënies nga kati i tretë, vajza u dërgua menjëherë në spitalin Santissima Annunziata në Taranto, me shenja jete, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar, ajo ndërroi jetë pak minuta më vonë.
Nëna e vajzës ka qenë në apartament në momentin e tragjedisë dhe ka qenë dëshmitarja kryesore e ngjarjes. Ajo ka deklaruar se ka parë të gjithë momentin kur e bija ka hapur dritaren dhe ka hedhur veten nga kati i tretë. Ky fakt është konfirmuar edhe nga dëshmitarë të tjerë që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes. Hetuesit kanë nisur hetimet dhe kanë kërkuar të sqarojnë çdo detaj që mund të shpjegojë këtë akt ekstrem.
Mediat italiane sugjerojnë se dyshimet kryesore janë se vajza mund të ketë qenë viktimë e bullizmit. Në kushtet e një tronditjeje të thellë psikologjike, ajo mund të ketë ndërmarrë këtë akt për t’i dhënë fund dhimbjes që po kalonte. Karabinierët po punojnë për të rindërtuar ngjarjen dhe për të verifikuar çdo element që mund të ndihmojë në sqarimin e vdekjes tragjike të adoleshentes.
Ky incident ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, veçanërisht ata që janë nga Vlora, pasi vajza ishte me origjinë nga fshati Dukat i këtij qyteti. Familjarët dhe të afërmit e saj janë të shokuar nga ngjarja dhe kanë kërkuar që drejtësia të zbardhë plotësisht arsyet që çuan në këtë tragjedi.
Përfundimi i hetimeve pritet të ofrojë më shumë informacion mbi shkaqet që çuan në këtë ngjarje të rëndë.