Një konflikt për pronësinë e banesës përfundoi në një tragjedi të rëndë në familjen Gjoni, ku 74-vjeçari Hekuran Gjoni vrau me thikë djalin e tij, Asim Gjonin, 41 vjeç.
Ngjarja e rëndë ndodhi pas një debati të ashpër mes anëtarëve të familjes, ku në qendër të përplasjes ishte ndarja e pasurisë.
Sipas burimeve, përplasja nisi pasi e motra e viktimës, e cila ishte rikthyer në shtëpinë e prindërve pas disa divorceve, kërkoi të merrte gjysmën e katit të parë të banesës. Kjo pjesë e pronës ishte dhuruar më herët me akt ligjor nga i ati djalit të tij, Asimit, i cili jetonte aty me familjen. Debatet mbi këtë çështje kishin nisur prej disa ditësh, ndërsa tensionet u përshkallëzuan ditën e krimit.
Në momentin e ngjarjes, në banesë ndodheshin autori i vrasjes, gruaja e tij, vajza dhe viktima. Asimi, i cili sapo ishte kthyer nga puna në ndërtim, u përfshi në debatin për pronën, i cili përfundoi tragjikisht. Pas një konflikti verbal dhe fizik, 74-vjeçari Hekuran Gjoni mori një thikë dhe i shkaktoi plagë vdekjeprurëse djalit të tij.
Fillimisht, dëshmitë e para pretenduan se viktima dhe autori ishin të dehur, por hetimet treguan se Asimi nuk konsumonte alkool dhe ishte një punëtor i qetë. Në të kundërt, autori i krimit, sipas dëshmive të familjarëve, ishte përdorues i rregullt i alkoolit dhe shpesh bëhej agresiv ndaj anëtarëve të familjes.
Pas ngjarjes, motra e viktimës, e cila kishte qenë e pranishme në konflikt dhe kishte pësuar lëndime, mori trajtim mjekësor dhe u largua nga banesa. Ajo nuk u rikthye më dhe nuk mori pjesë as në varrimin e të vëllait.
Asimi Gjoni, baba i dy fëmijëve, kishte punuar që në moshë të vogël për të ndihmuar familjen në ndërtimin e shtëpisë. Ai ishte i njohur nga të afërmit si një njeri i qetë, punëtor dhe pa konflikte, që mbante familjen me të ardhurat e tij.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj tragjedie familjare.