Një aksident ajror tronditi Korenë e Jugut, ku rrëzimi i një avioni me 181 persona në bord shkaktoi 179 viktima dhe detyroi Korenë e Jugut të shpallë shtatë ditë zie kombëtare.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e tragjedisë, duke u fokusuar në deshifrimin e kutisë së zezë të avionit.
Regjistruesi i të dhënave të fluturimit (FDR) është gjetur i dëmtuar, ndërsa regjistruesi i zërit në kabinë (CVR) është i paprekur. Një zyrtar i Institutit të Kërkimeve Koreane deklaroi se procesi i deshifrimit të FDR mund të zgjasë mbi një muaj për shkak të gjendjes së tij të dëmtuar. “Do të duhet shumë kohë për të analizuar të dhënat e FDR. Procesi mund të marrë të paktën një muaj,” u shpreh ai.
Aksidenti ndodhi në Aeroportin Ndërkombëtar Muan, në jug të Seulit, ku avioni, që po vinte nga Bangkoku i Tajlandës, tentoi të ulej rreth orës 09:00, sipas kohës lokale. Sipas autoriteteve, gjatë uljes, avioni preku pistën, u përfshi nga flakët dhe më pas u përplas për një mur.
Vetëm dy persona arritën të mbijetojnë, një burrë dhe një grua nga ekuipazhi, të cilët u shpëtuan nga pjesa e bishtit të avionit. “Zjarrfikësit arritën të shuajnë flakët dhe të nxjerrin dy të mbijetuarit,” tha Lee Jung-hyun, zëdhënës i zjarrfikësve.
Sipas Ministrisë jugkoreane të Transportit, shumica e viktimave ishin shtetas të Koresë së Jugut, ndërsa dy pasagjerë ishin nga Tajlanda. Ky është aksidenti ajror më i rëndë për një kompani jugkoreane në tri dekadat e fundit, duke rikthyer vëmendjen mbi sigurinë ajrore në vend.
Autoritetet po hetojnë të gjitha rrethanat e aksidentit, duke përfshirë kushtet teknike të avionit dhe gjendjen e pistës në momentin e uljes. Ndërkohë, familjarët e viktimave janë mbledhur në zonën e aeroportit, duke pritur informacione për të dashurit e tyre.
Tragjedia ka tronditur mbarë vendin, ndërsa liderët jugkoreanë kanë shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe kanë premtuar një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet. Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse do të ketë implikime të mëtejshme për industrinë ajrore të vendit.
Ky aksident shënon një nga momentet më të errëta për historinë e aviacionit jugkorean dhe ngre shqetësime mbi masat e sigurisë në transportin ajror.