Tragjedi në ujërat e Tunizisë: dhjetëra emigrantë humbin jetën në Mesdhe

Një anije me emigrantë nga Afrika Subsahariane u mbyt pranë brigjeve të Tunizisë, duke shkaktuar vdekjen e 40 personave, mes tyre edhe të porsalindur.

Deti Mesdhe është kthyer sërish në varrezë për qindra njerëz që kërkojnë shpëtim. Një anije me emigrantë nga vendet subsahariane u përmbys në brigjet e Salakta-s, në juglindje të qytetit Mahdia, duke shkaktuar një tjetër tragjedi humanitare.

Sipas agjencisë italiane ANSA, rreth 40 persona kanë humbur jetën, ndërsa 30 të tjerë janë shpëtuar nga njësitë e rojes bregdetare tuniziane. Mes viktimave raportohet se ka edhe gra dhe foshnja, të cilët nuk arritën të mbijetonin përballë dallgëve të forta dhe kushteve të rënda të udhëtimit.

Ky është incidenti i dytë i rëndë brenda një jave. Vetëm disa ditë më parë, një tjetër varkë me emigrantë u mbyt mes Maltës dhe Lampeduzës, duke marrë jetën e 23 personave. Të dyja ngjarjet nënvizojnë rrezikun ekstrem të rrugës mesdhetare që përdoret çdo ditë nga mijëra njerëz në kërkim të një jete më të sigurt në Evropë.

Anija e përmbysur ishte një varkë e vogël prej hekuri, e mbingarkuar me rreth 70 persona. Hetimet paraprake tregojnë se ajo nuk i përballonte kushtet e detit, ndërsa autoritetet tuniziane kanë hapur një hetim penal për të zbardhur shkaqet e mbytjes dhe përgjegjësitë e mundshme.

Zyra e prokurorit në Mahdia ka konfirmuar nisjen e hetimeve, por deri më tani nuk janë dhënë detaje mbi dinamikën e incidentit apo mbi operacionet e shpëtimit. Ndërkohë, trupat e viktimave po transportohen drejt morgjeve lokale, ndërsa të mbijetuarit janë dërguar në qendra pritjeje për ndihmë mjekësore dhe identifikim.

Ekspertët e emigracionit e cilësojnë këtë si një tjetër kapitull tragjik të krizës migratore që po përfshin brigjet e Afrikës së Veriut, ku Tunizia është kthyer në një pikënisje të rrezikshme për udhëtime drejt Europës. Shumë prej këtyre njerëzve, thonë autoritetet, ikën nga varfëria, dhuna dhe mungesa e shpresës, por rruga që zgjedhin shpesh përfundon në tragjedi.

Ndaj Postimin: