Tragjedi në Sydney: 15 viktima në sulmin terrorist kundër komunitetit hebre, qeveria paralajmëron ligje më të forta për armët

Sulmi i armatosur në zonën e Bondi Beach në Sydney është konfirmuar si akt terrorist dhe ka shkaktuar 15 viktima, ndërsa shumë të plagosur vijojnë të marrin trajtim spitalor. Ngjarja ndodhi gjatë një aktiviteti të komunitetit hebre për festën e Hanukkah-ut.

Ndër viktimat është një vajzë 10-vjeçare, Matilda, si dhe rabini britanik Eli Schlanger. Një tjetër viktimë është një i mbijetuar i Holokaustit, i cili humbi jetën duke u përpjekur të mbrojë bashkëshorten.

Hetimet paraprake tregojnë se sulmi u krye nga një baba 50-vjeçar dhe djali i tij 24-vjeçar. I pari u vra nga policia në vendngjarje, ndërsa i dyti ndodhet në gjendje kritike. Autoritetet kanë konfirmuar se babai posedonte një licencë për armë për qëllime sportive dhe ishte pjesë e një klubi armësh. Ndërkohë, djali ishte verifikuar më herët nga ASIO, por ishte vlerësuar si pa rrezik për dhunë të organizuar.

Qytetarë të shumtë u mblodhën pranë plazhit për të vendosur lule dhe për të nderuar viktimat e sulmit. Komuniteti mysliman në Australi dënoi fuqishëm ngjarjen, duke shprehur solidaritet të plotë me hebrenjtë australianë.

Kryeministri Anthony Albanese njoftoi se qeveria do të propozojë masa akoma më të forta për kontrollin e armëve të zjarrit, përfshirë rregullime të reja për licencat dhe kufizime të përdorimit të armëve, edhe pse vendi tashmë ka një nga politikat më të rrepta në botë në këtë fushë.

Ndaj Postimin: