Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Gjormë, ku një 90-vjeçar është gjetur i pajetë në një kanal pranë banesës së tij, pasi kishte humbur kontaktet me familjarët që prej mëngjesit të një dite më parë.
Sipas të dhënave zyrtare, kallëzimi është bërë nga nipi i të moshuarit, shtetasi O. M., i cili ka deklaruar se gjyshi i tij, shtetasi R. M., 90 vjeç, ishte larguar nga banesa rreth orës 07:00.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë nisën kërkimet për gjetjen e tij. Rreth orës 06:00 të ditës së sotme, trupi i pajetë i 90-vjeçarit u konstatuar në një kanal, në afërsi të banesës së tij, në fshatin Gjormë.
Paraprakisht dyshohet se i moshuari ka rënë aksidentalisht në kanal. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.