Një 59-vjeçar dyshohet se i ka dhënë fund jetës me armë gjahu në ambientet e magazinës pranë banesës së tij në fshatin Cakran të Fierit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 13:20, duke tronditur banorët e zonës. Sipas burimeve paraprake nga policia, viktima është identifikuar si shtetasi Sh. S., 59 vjeç, i cili u gjet pa shenja jete në ambientet e një magazine pranë shtëpisë së tij.
Policia e Fierit ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku ka kryer veprimet e para hetimore dhe ka siguruar zonën për të mbledhur provat që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.
Sipas të dhënave të para, dyshohet se 59-vjeçari mund të jetë vetëvrarë me një armë gjahu, e cila është sekuestruar nga grupi hetimor për ekspertizë të mëtejshme.
Grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike që ka tronditur komunitetin e Cakranit.


