Një ngjarje e rëndë është zbuluar në brigjet e ishullit grek të Kretës, ku Roja Bregdetare gjeti një varkë të dëmtuar me trupat e 18 emigrantëve të pajetë në bord. Dy persona arritën të mbijetonin dhe u shpëtuan nga ekipet greke.
Sipas dëshmisë së të mbijetuarve, grupi kishte humbur kontrollin mbi varkën gjatë një stuhie të fortë, e cila i kishte shtyrë në det të hapur. Pa ujë, pa ushqime dhe pa asnjë mundësi për t’u mbrojtur nga moti i keq, emigrantët mbetën të ekspozuar ndaj kushteve ekstreme. Ditët e fundit, zonat detare rreth Kretës janë goditur nga erëra të fuqishme që kanë arritur mbi 90 kilometra në orë.
Roja Bregdetare greke njoftoi se në momentin e gjetjes, 18 personat kishin qenë të vdekur për më shumë se 24 orë. Ekspertët mjekoligjorë dhe ekipet hetimore po punojnë për të përcaktuar me saktësi rrethanat e tragjedisë dhe shkakun e vdekjes së tyre.
Varka është gjetur në një nga rrugët e njohura të kontrabandës së emigrantëve, ndërsa hetimet për identifikimin e viktimave dhe zbulimin e organizatorëve të udhëtimit të rrezikshëm vijojnë.


