Tragjedi në Brampton: një nënë shqiptare humb jetën nga bashkëshorti

Një 29-vjeçare shqiptare, nënë e katër fëmijëve, u vra në mes të ditës në Brampton nga bashkëshorti i saj, i cili u ekzekutua më pas nga policia gjatë tentativës për t’u arratisur.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Kanada. Savannah Kulla, 29 vjeçe dhe nënë e katër fëmijëve të mitur, u qëllua për vdekje nga bashkëshorti i saj, Anthony Deschepper, 38 vjeç, në një parking publik në qytetin Brampton.

Sipas dëshmitarëve, ngjarja ndodhi në mes të ditës, kur mes çiftit ka shpërthyer një debat i ashpër që përfundoi tragjikisht. Deschepper nxori armën dhe qëlloi disa herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke e lënë të vdekur në vend.

Pas krimit, ai mori një prej fëmijëve dhe u përpoq të largohej me automjetin e tij, por policia ndërhyri menjëherë për ta ndaluar. Në përplasjen me forcat e rendit, 38-vjeçari u qëllua dhe humbi jetën në vendngjarje.

Autoritetet kanadeze konfirmuan se katër fëmijët e çiftit janë aktualisht nën kujdesin e shërbimeve sociale, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbardhur motivet e këtij akti makabër që ka tronditur opinionin publik.

Banorët e Brampton-it kanë vendosur lule dhe qirinj në vendin e ngjarjes, duke e përkujtuar Savannah si një grua të qetë, të dashur dhe të përkushtuar ndaj familjes. Për shumë prej tyre, kjo tragjedi është një thirrje për të forcuar ndërgjegjësimin ndaj dhunës në familje dhe mbrojtjen e grave në marrëdhënie abuzive.

Policia ka bërë thirrje që kushdo që ka informacion shtesë për historinë e çiftit të ndihmojë hetimin, ndërsa komuniteti shqiptar në Kanada është mobilizuar për të ndihmuar fëmijët e mbetur jetimë.

Ndaj Postimin: