“Tragjedi e paralajmëruar” në Spitalin e Lushnjes? Dokumentet zbulojnë shpërthime, rrezik maksimal dhe akuza për neglizhencë

Një situatë alarmante raportohet në Spitalin e Lushnjes, ku sipas disa shkresave zyrtare dhe relacioneve të brendshme, jeta e punonjësve të repartit të oksigjenit, pacientëve dhe familjarëve të tyre është vënë në rrezik serioz për shkak të mungesës së kushteve minimale të sigurisë teknike.

Sipas dokumenteve, specialistët e repartit të gazrave mjekësore (oksigjen dhe azot) kanë paralajmëruar drejtuesit e spitalit për rrezikshmëri në kufijtë maksimalë, duke folur për mundësinë e një katastrofe me pasoja të paparashikuara.

Shkresa e parë: “Jemi përballë një katastrofe”

Me shkresën nr. prot. 1932, datë 13.12.2024, specialistët i drejtohen drejtorit të spitalit, duke paraqitur gjendjen teknike në repartin e gazrave mjekësore. Në dokument theksohet se nuk ekzistojnë rregullat e sigurimit teknik dhe se rrezikshmëria është në nivel maksimal.

Në këtë shkresë përmenden edhe avari të ndodhura më parë, përfshirë shpërthime bombulash, me flakë zjarri që kanë shkrirë rregullatorët, duke rrezikuar jetën e punonjësve. Flaka, sipas dokumentit, është vënë nën kontroll nga vetë specialistët.

Po ashtu, theksohet mungesa e fikseve të zjarrit dhe fakti që bombulat ruhen jashtë kushteve të sigurimit teknik. Sipas ankesave, magazina ku duhet të depozitohen bombulat rezulton e mbyllur dhe nuk hapet nga përgjegjësi i sektorit.

Shpërthim i fuqishëm dhe rrjet i dëmtuar

Me shkresën nr. prot. 1938, datë 16.12.2024, specialistët informojnë për një shpërthim të ndodhur më 14.12.2024. Sipas tyre, bëhet fjalë për një shpërthim të fuqishëm që ka dëmtuar pajisje teknike dhe rrjetin shpërndarës të oksigjenit, duke rrezikuar jetën e një specialisti.

Në dokument thuhet se shkaku i shpërthimit ka qenë një ventili i konsumuar, ndërsa fakti që bombulat e tjera ishin bosh ka shmangur pasoja edhe më të rënda.

Në të njëjtën shkresë kërkohet blerja e fikseve të zjarrit dhe lirimi i magazinës për depozitimin e sigurt të bombulave. Ngrihet gjithashtu shqetësimi se fondet e nevojshme nuk janë planifikuar nga sektori i financës.

Kërkesë për largimin e përgjegjësit

Me shkresën nr. 1974, datë 20.12.2024, specialistët kërkojnë që përgjegjësi i repartit të oksigjenit të mos ushtrojë më këtë detyrë, për shkak të problemeve të konstatuara.

Më 26.12.2024, nga drejtuesi i atëhershëm i spitalit është dhënë masë “vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna” dhe është vendosur shkarkimi i tij si përgjegjës i sektorit.

Riemërim pas masës disiplinore

Megjithatë, më 27.02.2025, me nr. prot. 62, drejtori i ri i spitalit, Roland Ziu, ka riemëruar në detyrë të njëjtin person si përgjegjës të repartit të oksigjenit, pavarësisht masës së mëparshme disiplinore dhe paralajmërimeve për rrezikshmëri.

Dyshime për investime të papërfunduara

Sipas burimeve, zëvendësimi i tubave të oksigjenit nga godina që pritet të rikonstruktohet drejt godinës së improvizuar të urgjencës është bërë me të njëjtët tuba, vetëm të lyer, ndonëse ka pasur një tender për këtë ndërhyrje. Kjo çështje mbetet për t’u verifikuar në vijim.

Ndërkohë, godina që duhet të rikonstruktohet rezulton prej 7 muajsh e papërfunduar, për shkak të mungesës së lejes së ndërtimit.

Apel për hetim

Situata e përshkruar në dokumente ngre pikëpyetje serioze për sigurinë në një nga repartet më të ndjeshme të spitalit.

Përballë këtyre pretendimeve dhe dokumenteve zyrtare, kërkohet ndërhyrja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe e organeve ligjzbatuese për të verifikuar faktet dhe për të përcaktuar përgjegjësitë, në mënyrë që të shmanget ajo që specialistët e kanë cilësuar si “një tragjedi e paralajmëruar”.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033