Gjykata e Posaçme ka dhënë një vendim dënues për një rrjet kriminal të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike drejt Zvicrës, duke shpallur fajtorë dy nga figurat kryesore të këtij grupi.
Sipas vendimit, Gëzim Bakalli, i njohur edhe me identitetin Shkëmbim Cërmanji, dhe Erjon Loci u dënuan me gjithsej 31 vite burg për përfshirje në trafik droge dhe veprimtari në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Të dy përfituan nga gjykimi i shkurtuar, çka solli ulje të dënimit përfundimtar.
Nga hetimi dhe gjykimi rezultoi se grupi kishte vepruar gjatë viteve 2018–2024 dhe kishte trafikuar drejt Zvicrës sasi të konsiderueshme kokaine, heroine, marijuane dhe ekstazie, të siguruara kryesisht nga Amerika Latine dhe Gjermania. Rrjeti përbëhej nga shtetas shqiptarë, zviceranë, turq dhe italianë.
Gjykata e cilësoi Bakallin si drejtues dhe financues të aktivitetit kriminal, me të paktën 15 episode të dokumentuara, ndërsa Loci u konsiderua i përfshirë në të paktën 6 raste të transportit dhe shpërndarjes së drogës.
Pas bashkimit të dënimeve dhe aplikimit të gjykimit të shkurtuar, Bakalli u dënua përfundimisht me 12 vjet e 8 muaj burg, ndërsa Loci me 8 vite burg. Të dy do ta vuajnë dënimin në burg të sigurisë së lartë.
Gjykata urdhëroi gjithashtu sekuestrimin e sendeve dhe pajisjeve të përdorura në veprimtarinë kriminale, si dhe asgjësimin e dokumenteve të falsifikuara. Vendimi është i ankueshëm brenda afatit ligjor.