Trafik droge dhe gjobëvënie – zbardhen bisedat e policit me shqiptarin e Kosovës

Efektivi i policisë dyshohet për përfshirje në trafikun e kanabisit dhe kërcënim për pagesa të majme nga një shtetas nga Kosova, me të cilin diskutonte për shitje droge në Kukës

Dosja hetimore zbulon një rrjet të dyshimtë mes efektivit të policisë Edison Pema dhe një shtetasi nga Kosova, ku përveç shantazhit për borxhe të stërfryra, zbulohet edhe përfshirja e mundshme në tregti të lëndëve narkotike. Pema, i arrestuar nga Prokuroria e Elbasanit, dyshohet se ka kërkuar me presion shuma të mëdha parash, ndërsa bisedat e përgjuara dëshmojnë se palët diskutonin për shpërndarjen e 17 kilogramëve kanabis.

Në një nga bisedat e përgjuara, shtetasi kosovar B.S., i referuar me simbolin “B”, i kërkon Pemës (“E”) të sigurojë drogën me qëllim shitjen në Kukës, me një çmim prej 3 mijë euro për kilogram. Ai pohon se blerësi është një tjetër kosovar që do ta tërhiqte lëndën në pikën kufitare dhe më pas do ta trafikonte jashtë vendit. Këmbimi financiar mes tyre përfshinte pagesën paraprake prej 2 mijë eurosh.

Përgjimet zbulojnë gjithashtu se bisedat përfshinin kërkesa për mostra të lëndës narkotike, referenca për shitje të mëparshme drejt Zvicrës dhe dyshime për cilësi të ndryshme të barit. Kosovari i kërkonte Pemës që të ndërmjetësonte vetë transportin deri në Kukës, duke u zotuar se nuk do të kishte kontakt me ndonjë person tjetër përveç tij.

Në një moment, Pema i shpreh dyshimet dhe përmend që nuk mund të marrë më mostra nga furnizuesi, duke deklaruar se nuk dëshiron të përfshihet më tej në këtë “ujdi”. Megjithatë, biseda vijon me insistimin e borxhliut, i cili shprehet se nuk i intereson se kush janë furnitorët – ai kërkon thjesht ta kryejë marrëveshjen me vetë Pemën.

Nga mënyra e komunikimit, hetuesit dyshojnë se kemi të bëjmë me një marrëveshje të mirëorganizuar kriminale, ku polici përdorte rolin e tij si garanci për të shtyrë transaksione të dyshimta, ndërsa përfitonte përqindje të caktuara nga trafiku i drogës. Pema pranon se kishte marrë para më parë dhe që kishte shpërndarë mostra për të testuar cilësinë.

Përgjimet janë pjesë e dosjes penale që po hetohet nga organet e drejtësisë, ku Pema përballet me akuza për gjobëvënie dhe përfshirje në veprimtari të paligjshme. Arrestimi i tij ka hapur diskutime mbi përfshirjen e mundshme të zyrtarëve të rendit në rrjete të trafikimit dhe nevojën për kontrolle më të rrepta në radhët e policisë.

Ngjarja mbetet në fokusin e hetimeve, teksa autoritetet po analizojnë komunikimet dhe transaksionet e dyshuara për të zbuluar bashkëpunëtorët dhe rrjetin e shpërndarjes së drogës.

Ndaj Postimin: