Turistët po e kthejnë kuzhinën shqiptare në një aset të çmuar, duke kërkuar pjata autentike si tava e kosit, lakrori dhe petullat e fshira, të cilat po ringjallen fuqishëm në menutë e restoranteve.
Kuzhina shqiptare, dikur e lënë në hije nga gatimet ndërkombëtare, po përjeton një rilindje falë kërkesës së turistëve për përvoja autentike. Në restorantet nga Alpet deri në bregdet, tavolina po mbushen sërish me pjata të harruara si yshmeria, shapkat çame, apo kulaçi i mbushur me djathë. Ky rikthim nuk është vetëm një çështje shijesh, por edhe një formë e re identiteti kulturor që lidhet drejtpërdrejt me prodhuesit lokalë.
Për vizitorët e huaj, një vakt i plotë me ushqim tradicional dhe produkte vendase për më pak se 20 euro është një luks i rrallë në Europë. Në Fier, për shembull, një pjatë me mish viçi kushton 1200 lekë, një gotë verë 300 lekë, dhe një sallatë vetëm 400 lekë. Këto çmime të kombinuara me mikpritjen, po e bëjnë gastronominë shqiptare një ndër pikat më të forta të turizmit.
Lakrori, petullat, trahanaja e zënë me kos dhe byreku në saç po kthehen në simbole të kërkuara, ndërsa turistët janë shndërruar në ambasadorët më të mirë të kësaj kuzhine. Ky interes i ri po frymëzon edhe guximin e kuzhinierëve për të eksperimentuar duke ruajtur shijen autentike.
Rritja e kërkesës për ushqime tradicionale ka sjellë gjallërim në sektorin bujqësor, duke rritur bashkëpunimin mes restoranteve dhe fermerëve. Agroturizme të ndryshme në Shqipëri tashmë bashkëpunojnë rregullisht me dhjetëra fermerë, duke e kthyer prodhimin vendas në një burim të qëndrueshëm të ardhurash. Ky bashkëpunim tregon se kuzhina nuk është vetëm kulturë, por edhe ekonomi.
Pijet tradicionale po luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm. Vera dhe rakia shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet, ndërsa birrat vendase po përballen me konkurrencë nga markat ndërkombëtare. Megjithatë, birra Kriko dhe rakia e fortë mbeten të preferuara për ata që kërkojnë një përvojë autentike. Për shumë turistë, degustimi i rakisë është një përvojë e paharrueshme që e lidh drejtpërdrejt me kulturën shqiptare.
Në këtë rikthim të fuqishëm, ushqimi nuk është thjesht një shërbim, por një histori që shitet. Nga petullat e gjyshes tek tava e famshme e Elbasanit, kuzhina shqiptare po bëhet një urë që lidh të kaluarën me të tashmen dhe po i jep turizmit një aromë e shije të papërsëritshme.