Topi i ri i Botërorit 2026 do të sjellë polemika

Topi i ri “Trionda” i Botërorit 2026 pritet të bëhet makth për portierët, pasi dizajni i tij i rrumbullakët prodhon trajektore të paparashikueshme në fushë.

FIFA prezantoi zyrtarisht topin me të cilin do të zhvillohen ndeshjet e Botërorit 2026. Ai është prodhuar nga “Adidas” dhe mban emrin “Trionda”, një term që në spanjisht nënkupton “tre valë”. Kombinimi i ngjyrave të kuqe, jeshile dhe blu përfaqëson tre vendet organizatore: një gjethe për Kanadanë, një shqiponjë për Meksikën dhe një yll për SHBA-në.

Megjithëse duket estetikisht i veçantë, topi ka një karakteristikë që ka ngritur dyshime. Ai konsiderohet tepër i rrumbullakët, duke sjellë në kujtesë eksperienca të mëparshme problematike për portierët.

Tradicionalisht, topat e futbollit janë të përbërë nga pjesë gjeometrike të shumta, kryesisht mbi bazën e “icosahedron”-it me 20 faqe. Por “Trionda” ndjek një qasje krejt tjetër, pasi është i ndërtuar vetëm me katër prerje të ndryshme, duke i dhënë një formë më të lëmuar dhe të pakontrollueshme.

Një eksperiment i ngjashëm ndodhi në vitin 2010 me topin “Jabulani”. Atëkohë ai u bë i famshëm si “makthi i portierëve”, sepse shpesh ndryshonte papritur trajektore gjatë goditjeve nga distanca, duke sjellë gola spektakolarë, por edhe polemika të shumta mbi cilësinë e lojës.

Pikërisht për këtë arsye, modeli i vitit 2010 u tërhoq shpejt nga përdorimi. Megjithatë, pas 15 vitesh, “Adidas” është rikthyer me një tjetër risi që ngre pikëpyetje të mëdha mbi ekuilibrin mes spektaklit dhe drejtësisë në fushën e lojës.

Pritet që “Trionda” të sjellë gola të bukur dhe situata të paparashikueshme, por mbetet për t’u parë nëse do të përqafohet nga futbollistët apo do të kthehet në një tjetër debat mbi teknologjinë në sportin më popullor në botë.

Ndaj Postimin: