Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, ndau sot një mesazh ku tregoi se këtë të shtunë vizitoi mikun dhe kolegun e tij, Ervin Salianjin, në burgun e Fierit.
Ai u shpreh se e gjen të padrejtë që Salianji ndodhet atje, ndërsa sipas tij, ata që kanë vërtet shpërdoruar fondet publike dhe kryer vjedhje janë të lirë.
Alizoti e cilësoi këtë vendim si një veprim politik që shkon kundër pluralizmit në Shqipëri. Ai shprehu mbështetje të plotë për Salianjin, duke theksuar se burgosja e tij është një shembull i qartë i ndëshkimit politik për ata që sfidojnë pushtetin e tanishëm.
“Sot vizitova mikun tim Salianji në burgun e Fierit. Për mua, kjo ishte një situatë paradoksale, pasi më rikujtoi kohët para viteve 1990, kur vizitoja babain tim, një nga ata që regjimi i asaj kohe i konsideronte ‘armiq të partisë’. Tani, miku im është në burg për të njëjtën arsye: sepse ka thënë të vërteta që nuk i pëlqejnë pushtetit,” shkroi Alizoti.
Ai gjithashtu e krahasoi situatën me të kaluarën, duke theksuar se ashtu si në kohët e komunizmit, edhe sot pushteti përpiqet të heshtë ata që e sfidojnë. “Në qelitë e Fierit, janë ata që kanë bashkëpunuar për vjedhjet dhe shpërdorimet e fondeve publike, por Salianji është aty thjesht sepse guxoi të fliste kundër tyre,” vijoi ai.
Alizoti përfundoi me një mesazh shprese dhe mbështetjeje për mikun e tij, duke shprehur bindjen se e drejta do të triumfojë dhe ata që e meritojnë vërtet do të përgjigjen për veprimet e tyre.