Rregulla të reja për përdoruesit faktikë të tokave bujqësore të ish-kooperativave dhe ish-ndërmarrjeve bujqësore, që ende nuk e kanë përfunduar procesin e kalimit të tokës në pronësi.
Projektligji për ndryshimin e ligjit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë përcakton më qartë edhe afatet që duhet të respektohen.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të vijojë verifikimin e kushteve ligjore dhe përcaktimin e sipërfaqes që mund të kalojë në pronësi, në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Por ndryshimi kryesor lidhet me rastet kur kërkuesi nuk paraqitet në terren ose nuk bashkëpunon me administratën.
Në këto raste, brenda 10 ditëve, ASHK duhet të bëjë njoftimin publik, duke publikuar të dhënat e kërkesës në njësinë administrative, në drejtorinë vendore të Kadastrës dhe në faqen zyrtare të saj.
Nga momenti i njoftimit, subjekti ka 30 ditë për të përmbushur detyrimet procedurale.
Nëse nuk vepron, procedura pezullohet për 60 ditë dhe vendimi publikohet sërish.
Nëse edhe pas këtij afati nuk ka reagim, ASHK mund të vendosë refuzimin e kërkesës për kalimin pa shpërblim të tokës në pronësi.
Pra, procedura e re ndjek një skemë të përcaktuar: 10 ditë për njoftimin, 30 ditë për veprim, 60 ditë pezullim dhe më pas refuzim, nëse subjekti nuk bashkëpunon.
Ndryshimet nuk sjellin pronësi automatike. Kriteret ligjore për përfitimin mbeten në fuqi.
Për personat me procese të hapura, ndjekja e njoftimeve të Kadastrës dhe paraqitja në kohë bëhen vendimtare për të mos humbur kërkesën për kalimin e tokës në pronësi pa shpërblim.