Tirana renditet ndër 10 destinacionet më të mira për nomadët dixhitalë në Europë

Kryeqyteti shqiptar Tirana po bëhet gjithnjë e më shumë një prej destinacioneve më të preferuara nga nomadët dixhitalë në Europë, për shkak të kostos së përballueshme të jetesës, infrastrukturës në zhvillim dhe mikpritjes së ngrohtë që ofron.

Sipas të dhënave të DemandSage, komuniteti global i nomadëve dixhitalë ka arritur mbi 40 milionë persona në vitin 2025, një rritje prej 149% që nga viti 2019. Për të zgjedhur destinacionin ideal, ekspertët rekomandojnë të merren parasysh faktorë si cilësia e internetit, kostoja e jetesës, kultura dhe disponueshmëria e komuniteteve për punë në distancë.

Tirana, në krahasim me qytetet më të mbipopulluara të Europës, ofron një kombinim unik të çmimeve të ulëta, energjisë urbane dhe autenticitetit. Shtetasit amerikanë mund të qëndrojnë në Shqipëri deri në një vit pa nevojën për vizë, dhe pas kësaj periudhe kanë mundësinë të aplikojnë për leje qëndrimi në një proces të thjeshtë online.

Për nomadët dixhitalë që kërkojnë hapësira bashkëkohore për punë, kafenetë me internet të shpejtë dhe mundësi për eksplorim, Tirana është një zgjedhje e përshtatshme. Ndryshe nga disa qytete europiane që vuajnë nga rritja e çmimeve dhe mungesa e banesave, Tirana ofron një ambient më të përballueshëm dhe të qetë.

Skena kulturore e pasur, komuniteti ndërkombëtar në rritje dhe përmirësimi i infrastrukturës e kanë kthyer kryeqytetin shqiptar në një pikë të nxehtë për profesionistët që punojnë në distancë.

Përveç Tiranës, destinacione të tjera të preferuara për nomadët dixhitalë në Europë janë Madeira në Portugali, Kotor në Mal të Zi, Pistoia në Itali, Pragë në Çeki, Bratislavë në Sllovaki, Ljubjanë në Slloveni, Dubrovnik në Kroaci, Athinë në Greqi dhe Tallinn në Estoni.

Ndaj Postimin: