Atmosfera festive ka pushtuar zemrën e Tiranës, teksa Bashkia e kryeqytetit ndezi mbrëmë dritat e Pemës së Festave në “Sheshin Skënderbej”.
Në një ceremoni plot ngjyra dhe entuziazëm, kryebashkiaku Erion Veliaj, i rrethuar nga qindra qytetarë dhe fëmijë, ftoi banorët e Tiranës të bashkohen për të festuar dhe reflektuar.
“Ndërsa ndezim këto drita magjike, ju ftoj që secili të ndezë një dritë në zemrën dhe mendjen e tij,” deklaroi Veliaj. Ai theksoi rëndësinë e solidaritetit dhe kujdesit për ata që kanë nevojë, duke e cilësuar këtë periudhë si një mundësi për të qenë më të bashkuar dhe më të mirë.
Ceremonia festive këtë vit pati një risi: në shesh janë vendosur katër pemë Krishtlindjesh, të cilat ndriçuan njëkohësisht, duke krijuar një spektakël drite dhe harmonie. Ngjarja u pasua nga një koncert festiv i interpretuar nga fëmijët, ndërsa Veliaj konfirmoi organizimin e një koncerti falas për ‘Natën e Bardhë’.
Në fjalimin e tij, Veliaj vlerësoi transformimin e Tiranës, duke përmendur se kryeqyteti ka arritur të fitojë një sërë titujsh ndërkombëtarë që reflektojnë progresin e qytetit. “Tirana ka kaluar nga një qytet i panjohur në një destinacion që mirëpret miliona turistë çdo vit. Kjo është dëshmi e punës së përbashkët, solidaritetit dhe mbështetjes që i japim njëri-tjetrit,” tha ai.
Kryebashkiaku rikujtoi arritjet e mëdha të Tiranës, si shpallja e saj Kryeqyteti Evropian i Rinisë në 2022 dhe Kryeqyteti Evropian i Sportit në 2023. “Këtë vit, Tirana ka qenë mbretëresha e qyteteve të Ballkanit, ndërsa në 2025 do të shkëlqejë si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës. Çdo vit sjell një titull të ri ndërkombëtar, dhe për këtë, jam krenar që shërbej për qytetarët e këtij qyteti model,” u shpreh Veliaj.
Ai ftoi banorët e Tiranës dhe vizitorët të shijojnë atmosferën e festave të fundvitit, duke theksuar se aktivitetet artistike dhe kulturore nuk do të mungojnë gjatë muajit dhjetor.
Ceremonia e dritave shënoi edhe fillimin e një serie ngjarjesh festive, të cilat pritet të bëjnë kryeqytetin epiqendrën e gëzimit dhe atmosferës së fundvitit. Me drita, muzikë dhe energji pozitive, Tirana dëshmon se është gati të mirëpresë një tjetër vit të suksesshëm.