Këshilli Bashkiak i Tiranës ka kërkuar zyrtarisht nga Prokuroria e Posaçme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve që kryebashkiaku Erion Veliaj të marrë pjesë fizikisht në mbledhjet e konsultimit të projektbuxhetit të Bashkisë për vitin 2026. Në kërkesë theksohet se pjesëmarrja e tij është e përcaktuar si detyrim ligjor për shkak të rolit që ka në përgatitjen dhe prezantimin e buxhetit.
Sipas anëtarëve të Këshillit Bashkiak, bashkëpunimi ndërmjet kryebashkiakut dhe këshillit është i domosdoshëm për çështje që prekin interesin publik, dhe legjislacioni për vetëqeverisjen vendore i garanton atij të drejtën e pjesëmarrjes dhe raportimit në mbledhjet e këshillit.
Këshilli i referohet gjithashtu ligjit “Për Financat e Qeverisjes Vendore”, sipas të cilit kryetari i njësisë vendore harton projektbuxhetin vjetor dhe ia paraqet atë këshillit për miratim. Për këtë arsye, kërkohet që Veliajt t’i mundësohet pjesëmarrje fizike në një nga datat 16, 17 ose 18 dhjetor 2025, nëse ndaj tij zbatohen masa kufizuese.
Në kërkesë nënvizohet gatishmëria për të respektuar çdo kërkesë sigurie apo protokolli nga institucionet përgjegjëse, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt institucional. Këshilli kërkon që vendimmarrja e autoriteteve t’u komunikohet me shkrim.


