TikTok-u u jep përdoruesve mundësinë të zgjedhin sa përmbajtje të gjeneruar nga inteligjenca artificiale duan të shfaqet në seksionin “For You”, duke shtuar etiketime më të avancuara dhe një teknologji të re watermark-esh të padukshme.
TikTok-u, i njohur dikur si platformë e bazuar kryesisht në përmbajtje të krijuar nga vetë përdoruesit, ka prezantuar një funksion të ri që u lejon përdoruesve të kontrollojnë nivelin e përmbajtjes së krijuar nga AI që shfaqet në faqen e tyre kryesore. Ky opsion i ri është pjesë e mjetit “Manage Topics”, i cili përcakton se cilat kategori shfaqen më shpesh në aplikacion.
Sipas kompanisë, “Manage Topics” përcakton tashmë frekuencën e dhjetëra kategorive si kërcimi, sporti apo ushqimet, ndërsa tani përdoruesit mund të shtojnë edhe kategorinë e përmbajtjes së gjeneruar nga AI. Kontrolli i ri nuk eliminon përmbajtje nga “For You”, por krijon një feed më të personalizuar.
Ky zhvillim vjen në një moment kur Meta dhe OpenAI po promovojnë gjithnjë e më shumë platforma me përmbajtje tërësisht të gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Meta publikoi së fundmi Vibes, një feed i dedikuar videove të shkurtra të krijuara me AI, ndërsa OpenAI prezantoi Sora, një rrjet social për krijimin dhe shpërndarjen e videove të prodhuara nga AI.
Që nga dalja e Sora-s, TikTok është përmbytur me video të realizuara nga AI, ndërsa përdorues të shumtë po krijojnë vizualizime të tilla për tema historike apo personazhe të famshme. Me kontrollin e ri, ata që duan më pak përmbajtje të këtij formati mund ta reduktojnë, ndërsa ata që e pëlqejnë mund ta shtojnë.
Për të përdorur funksionin e ri, përdoruesit duhet të hyjnë te Settings, pastaj te “Content Preferences”, dhe të zgjedhin “Manage Topics”. Në këtë seksion, një rrëshqitës i dedikuar për përmbajtjen AI u lejon atyre të vendosin sa shpesh duan ta shohin këtë lloj materiali. TikTok njofton se opsioni do të shpërndahet te të gjithë përdoruesit në javët e ardhshme.
Për të përmirësuar etiketimin e përmbajtjes së krijuar nga AI, TikTok ka nisur testimin e një teknologjie të re të quajtur “watermarking i padukshëm”. Aktualisht, kompania përdor standardin ndërplatformë Content Credentials nga C2PA, i cili integron metadata në përmbajtje për të treguar origjinën e saj. Por këto etiketa mund të fshihen në rast rieditimi apo ri-ngarkimi në platforma të tjera.
Watermark-u i padukshëm do të lexohet vetëm nga TikTok, duke krijuar një shtresë të re sigurie për identifikimin e materialeve të prodhuara nga AI. Aplikacioni do ta vendosë këtë watermark në çdo video të realizuar me mjetet e tij të brendshme, si AI Editor Pro, dhe gjithashtu në videot e ngarkuara me kredencialet e C2PA.
Këto përmirësime synojnë të garantojnë që çdo material i gjeneruar nga inteligjenca artificiale të etikohet saktë në platformë, duke e bërë të vështirë manipulimin apo fshehjen e origjinës së vërtetë të videove.
Në të njëjtën kohë, TikTok ka njoftuar krijimin e një fondi prej 2 milionë dollarësh për edukimin mbi inteligjencën artificiale. Fondi synon të mbështesë organizata, ekspertë dhe nisma si Girls Who Code, për të ndërtuar përmbajtje edukative që ndihmon përdoruesit të kuptojnë AI-në dhe rreziqet e saj.


