Tifozat kuq e zi bojkotojnë stadiumin për ndeshjen ndaj Serbisë, akuza për sistemin e biletave të FSHF-së

Tifozat Kuq e Zi deklarojnë se nuk do të jenë të pranishëm në stadium për ndeshjen Shqipëri-Serbi, duke denoncuar shortin e biletave dhe çmimet e larta si një sistem që favorizon agjencitë turistike dhe përjashton tifozët besnikë.

Grupi i njohur i tifozëve “Tifozat Kuq e Zi” ka reaguar ashpër në rrjetet sociale duke bërë të qartë se për herë të dytë në 21 vite, nuk do të marrin pjesë në një ndeshje të Kombëtares shqiptare. Ata nënvizojnë se kanë refuzuar të bëhen pjesë e shortit të organizuar nga FSHF për shpërndarjen e biletave, të cilin e konsiderojnë si një proces të manipuluar që synon të përfitojë vetëm një grup i caktuar.

Në deklaratën e tyre, TKZ akuzon Federatën Shqiptare të Futbollit se, në vend që të sigurojë akses për tifozët e përhershëm, po favorizon agjencitë turistike dhe ka lejuar që biletat të shiten në tregun e zi me çmime të jashtëzakonshme. Ata e cilësojnë këtë sistem të ri të shpërndarjes së biletave si të padrejtë, të ndërtuar për të përjashtuar tifozët më të devotshëm.

Sipas tyre, hipokrizia e FSHF-së që flet për përfshirje është në kontrast të thellë me realitetin, pasi në praktikë përjashton ata që kanë ndjekur Kombëtaren në çdo sfidë. Tifozët denoncojnë rritjen e çmimeve të biletave, të cilat shkojnë nga 150 deri në 1000 euro, duke e bërë të pamundur për një familje të zakonshme shqiptare të ndjekë ekipin nga afër.

Në reagimin e tyre thuhet se futbolli është shndërruar nga një aktivitet popullor në një event ekskluziv për të pasurit, ndërsa politika e Federatës po lë jashtë ata që i qëndrojnë besnikë Kombëtares. Ata theksojnë se në stadium mbeten vetëm agjencitë e udhëtimit, politikanët dhe rrethi i ngushtë i FSHF-së, ndërsa tifozët e vërtetë përjashtohen.

“Tifozat Kuq e Zi” sjellin në vëmendje se kjo është hera e dytë që nuk lejohen të jenë pranë Kombëtares – pas ndeshjes së famshme më 14 tetor 2014, këtë herë, sipas tyre, pengesa nuk vjen nga jashtë, por nga institucionet shqiptare. Ata e konsiderojnë këtë si një precedent të papranueshëm dhe bëjnë thirrje për reflektim.

Në fund të deklaratës, ata i uruan Kombëtares suksese në ndeshje, duke theksuar se mbështetja për ngjyrat kuqezi mbetet e pandryshuar, pavarësisht përjashtimit nga stadiumi.

Ndaj Postimin: