Themelimi i Bordit të Paqes: Donald Trump firmos krah liderëve botërorë, Vjosa Osmani “kokë më kokë” me presidentin amerikan

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndodhet këtë të enjte në Davos, ku mbajti fjalën e tij në kuadër të Forumi Ekonomik Botëror. Gjatë fjalimit, Trump u shpreh se deri më tani ka kontribuar në zgjidhjen e tetë konflikteve dhe se është duke u përgatitur të bëjë të njëjtën gjë edhe me Gaza.

Trump e cilësoi këtë ditë si shumë emocionuese, duke theksuar se për themelimin e Bordit të Paqes është përgatitur prej kohësh. Sipas tij, interesi për t’u bërë pjesë e këtij bordi është i madh dhe shumë vende kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar. Ai nënvizoi se të gjitha shtetet janë të ftuara të bashkohen dhe se nisma është e hapur për këdo që synon paqen dhe stabilitetin global.

Pas përfundimit të fjalës së tij, presidenti amerikan firmosi zyrtarisht aktin e themelimit të Bordit të Paqes për Gazën, ndërsa të njëjtin veprim e kryen edhe liderë të tjerë botërorë të pranishëm në sallë.

Në këtë ceremoni ishte e pranishme edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila firmosi krah Donald Trump. Para nënshkrimit, Osmani dhe Trump janë vënë re duke komunikuar shkurtimisht me njëri-tjetrin, në një moment që tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve.

Pjesë nga fjala e Donald Trump:
“Është një nder i madh për mua. Kur u hodh ideja që duhet ta krijoja këtë bord, e mora shumë seriozisht. Shumë të rinj i janë bashkuar këtij bordi. Të gjitha vendet mund t’i bashkohen. Ne i kemi dërguar ftesa edhe vendeve që janë këtu në Davos. I ftojmë të gjitha vendet, janë të gjithë miqtë e mi. Disa më pëlqejnë, disa jo, por këta që janë këtu më pëlqejnë. Kemi bërë planin tonë për Gazën. E dinim që njerëzit po vdisnin për bukë në Gaza dhe kjo nuk duhet të ndodhë më. Nuk do të ketë më njerëz që vdesin nga uria në Gaza. Falënderoj Witkoff dhe Kushner për punën që kanë bërë. Kthyem edhe trupat e atyre që nuk ishin më gjallë. Ishin të rinj dhe arritëm t’i kthenim të gjithë në shtëpi. Kam edhe dy fjalë për Hamasin: e bëra të qartë që duhet të lirojë pengun e fundit. Kemi çmilitarizimin e Hamasit dhe rindërtimin e Gazës. Do të kemi sukses në Gaza.”

I pranishëm në Davos ishte edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili vlerësoi punën e presidentit Trump në fushën e sigurisë dhe politikës ndërkombëtare.

“Ne nuk jemi kufizuar në punën që kemi bërë deri tani. Kemi çuar sigurinë e SHBA-së në një nivel shumë të lartë në këtë mandat historik. Këto rezultate janë mjaft të rëndësishme dhe do të bëjmë edhe më shumë,” u shpreh Rubio, duke e cilësuar angazhimin e Trump si një punë të jashtëzakonshme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033