Thatësira fundos bilancin e KESH, humbje dhe borxhe në rritje

KESH përballet me humbje 21 milionë euro për shkak të mungesës së reshjeve dhe rënies së prodhimit në tremujorin e parë të vitit 2025.

Bilanci financiar i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka pësuar një përmbysje të ndjeshme këtë vit. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, nga një fitim mbi 30 milionë euro në tremujorin e parë të 2024-s, kompania ka shënuar një humbje prej 21 milionë eurosh në tremujorin e parë të 2025-s.

Shkak për këtë situatë është bërë thatësira e tejzgjatur dhe reshjet minimale që kanë ndikuar rëndë në aktivitetin prodhues të KESH. Niveli i liqenit të Fierzës është shumë më poshtë mesatares historike prej 286.5 metrash, duke ulur ndjeshëm kapacitetin për prodhim energjie.

Në raport me një vit më parë, prodhimi neto i energjisë nga KESH ra me 4.2 për qind, duke zbritur në 1.38 TWh. Ndërkohë, prodhimi kombëtar u tkurr me rreth 5.3 për qind, duke rritur varësinë nga importi dhe ekspozimin ndaj çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare.

Edhe pse të ardhurat e KESH u rritën me 12 për qind dhe arritën në 6.7 miliardë lekë, kostot e blerjes së energjisë u trefishuan. Rritja e shpenzimeve me 200 për qind për import energjie goditi rëndë financat e korporatës.

Ministria thekson se një situatë e tillë nuk është rastësore. Sistemi energjetik shqiptar është i mbështetur kryesisht te hidrocentralet dhe për këtë arsye mbetet jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj kushteve të motit dhe sasisë së reshjeve.

Për më tepër, bilanci i dobësuar i KESH shoqërohet me rritjen e borxheve afatgjata, të cilat janë ngjitur nga 12.3 në 17.5 miliardë lekë. Kjo rritje sinjalizon presion të shtuar mbi qëndrueshmërinë financiare të korporatës.

Pavarësisht përpjekjeve për të diversifikuar burimet e energjisë, sektori vijon të jetë i pambrojtur nga krizat klimatike. Thatësirat jo vetëm reduktojnë prodhimin, por detyrojnë blerje të kushtueshme dhe ulje të fitimeve në periudha kur çmimet në treg bien.

Ndaj Postimin: