Tha se do të kthehej për t’u përballur me drejtësinë / Avokati Maks Haxhia: Ergys Agasi vetëm nëse është i çmendur të vijë. Nuk ka lidhje me tenderat e AKSHI-t

Avokati Maks Haxhia deklaron se klienti i tij, Ergys Agasi, ndodhet jashtë shtetit dhe në këto kushte nuk mund të paraqitet para organeve të drejtësisë.

Në një deklaratë për mediat, Haxhia u shpreh se “vetëm po të jetë i çmendur dhe të vijë”, duke theksuar se, sipas tij, synohet t’i “hidhen çelësat në det”. Ai tha se situata është krijuar qëllimisht, me akuza të rënda, duke e bërë të pamundur komunikimin real me drejtësinë nëse zbatohet masa e sigurisë.

Sipas Haxhisë, Agasi nuk ka ushtruar kurrë funksion publik dhe, për rrjedhojë, nuk mund të mbahet përgjegjës për çështje që lidhen me tendera apo vendimmarrje shtetërore. “Akuzat ndaj Ergys Agasit janë absurditete. Po i ngrihen akuza për tendera një njeriu që nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë funksion publik”, u shpreh ai, duke shtuar se klienti i tij nuk ka pasur kurrë pushtet vendimmarrës në institucionet shtetërore.

Avokati theksoi se nuk ka kontakt të drejtpërdrejtë me Agasin, por komunikon vetëm me familjarët e tij. Sipas informacionit që ka prej tyre, Agasi nuk ndodhet në Shqipëri. Haxhia nënvizoi se, në këto rrethana, Agasi nuk ka asnjë lidhje me tenderat në AKSHI dhe se kthimi i tij në vend, në këtë situatë, do të ishte i pakuptimtë.

Megjithatë, deklaratat e Haxhisë përforcojnë perceptimin se Agasi është larguar për t’iu shmangur drejtësisë, ndryshe nga ajo që ishte deklaruar në dhjetor të vitit të kaluar, kur u tha se ai kishte shkuar jashtë vendit për të lidhur disa marrëveshje dhe se do të kthehej për t’u përballur me drejtësinë.

SPAK e akuzon Ergys Agasin për përfshirje në një skemë të dyshuar manipulimi të tenderave publikë pranë AKSHI-t, në bashkëpunim me zyrtarë dhe biznesmenë të tjerë. Akuzat lidhen me shkelje të barazisë në tendera dhe ndikim të paligjshëm në procedurat e prokurimit publik.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033