Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion ka hedhur dritë mbi fakte të reja lidhur me krahun e djathtë të Belinda Ballukut, Evis Berberin, i cili sipas SPAK vepronte si pronar i shoqërisë “DAAM” shpk.
Kompania e tij ka fituar një pjesë të tenderit të Lotit të 4 të Unazës së Madhe, gjë për të cilën SPAK ka vënë në akuzë edhe Belinda Ballukun, nga sot e pezulluar nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës.
Në një pjesë të dosjes theksohet se: “Shtetasi Evis Berberi bën shitje fiktive të shoqërisë së tij, shtetases Brunilda Buli, por nga bisedat vërehet se shtetasi Evis Berberi vepron në cilësinë e pronarit të shoqërisë ‘DAAM’ shpk, pasi ai interesohet dhe informohet për aktivitetin e shoqërisë (për klientët, furnitorët, detyrimet, punonjësit e shoqërisë) si dhe merr vendime për pagesat, faturat, detyrimet si dhe punonjësit e shoqërisë.”
Në dokumentin hetimor theksohet se Berberi udhëzon shtetasin Ervis Lami kur dhe si të veprojë me pagesat e tatimeve, në mënyrë që të shmangë gjobat. Po ashtu, angazhohet të realizojë transfertat, të cilat i siguron me anë të të motrës, Elektra Berberi, e cila punon në bankë.
Kjo e fundit i thotë se shkresat për firmosje do t’ia çojë tek shtëpia e mamasë së tij. Ndërkohë, shitja fiktive e kompanisë “DAAM” shpk, sipas përgjimeve të SPAK, rezulton të jetë bërë shtetases Brunilda Buli, të cilës Evis Berberi i drejtohet si “Teze”.
Në komunikimin e zbardhur thuhet: “Teze më bëj një foto firmës tënde dhe ma nis! Në WhatsApp 09:31, shtetasja Brunilda Buli dërgon një fotografi, në të cilën vërehen katër shënime në dukje! ‘Ta falsifikoj pak’”, thuhet në përgjimet e SPAK.
Ndërkohë, transferta e Berberit është finalizuar në adresë të një kompanie tjetër: “Në lidhje me bisedat e mësipërme, referuar të dhënave bankare të shoqërisë ‘DAAM’ shpk në bankën Raiffeisen, rezulton se në datën 25.02.2019, nga llogaria bankare e kësaj shoqërie është kryer pagesa në vlerën 30 000 euro në drejtim të shoqërisë ‘PM&A Company’ shpk, me përshkrimin ‘lik pjesor ft 282 d 15/2/19’.”
Pjesë nga dosja e SPAK:
- Më 11.02.2019, Evis Berberi i dërgon Ervis Lamit urdhër-pagesën për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin.
- Ai e porosit: “Mos më harro tatim-fitimin sot se ha gjobë.”
- Të njëjtën ditë kryhet pagesa për tatimet.
- Më 13.02.2019 Berberi kërkon nga motra, Elektra Berberi, përgatitjen e dokumenteve bankare për 21 000 euro, duke vijuar me udhëzime për transferimin.
- Më 25.02.2019 përgatitet pagesa 30 000 euro me udhëzimin: “Këto i ke gati nesër.”
- Për firmën e Brunilda Bulit, Berberi shkruan: “Teze më bëj një foto firmës tënde dhe ma nis.”
Dosja përfshin komunikime të shumta që tregojnë se Berberi vazhdonte të ushtronte kontroll të plotë mbi kompaninë, pavarësisht “shitjes” së saj fiktive.


